Gazetarja Rudina Xhunga, gjatë fjalës së saj në aktivitetin e zhvilluar nga Prokuroria në Ditën Kundër Dhunës ndaj Grave, tregoi një rast personal, të shumë viteve më parë, ku ishte kërcënuar me mesazhe të pështira nga një person.

Xhunga e kishte paditur dhe përgjigjja që kishte marrë nga Prokuroria ishte; “personi në fjalë nuk kishte kryer asnjë vepër penale, pasi e donte”.

Kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj, iu përgjigj rastit të gazetares, duke i thënë se nga 2003 deri në 2019, Prokuroria është përmirësuar.

“Që nga viti 2003 Prokuroria ka ardhur duke u përmirësuar, jemi në 2019, kështu që nuk është më i njëjti trajtim. Këta prokurorë në mënyrë të përditshme kryejnë veprime hetimore dhe kanë përballë një grua të dhunuar por pas këtij episodi dhe pas këtyre veprimeve ka diçka më shumë.

Për këtë arsye ligji parashikon në mënyrë të detajuar të drejtat e viktimës dhe për këtë arsye janë krijuar në mënyrë të posaçme brenda prokurorisë dhe organizma si koordinatori për mbrojtjen e të drejtave të viktimës dhe për këtë arsye ligji ka në mënyrë kaq të detajuar të njohura këto të drejta. Ajo çka ne duhet të bëjmë është që jo thjesht t’i lexojmë, t’i kuptojmë por edhe t’i zbatojmë”, deklaroi Imeraj.

VERITAS.COM.AL/