Gjatë katër viteve të fundit, numri i divorceve në Shqipëri ka ardhur në rritje. Në vitin 2015, u zgjidhën 7,080 lidhje martesore.
Kjo shifër është disi më e ulët në krahasim me 2014-n (134 çështje më pak) ku u regjistrua edhe numri më i lartë i divorceve që nga viti 2011 i marrë në analizë. Sipas vjetarit të statistikave të Ministrisë së Drejtësisë, gjatë 2015-s u regjistruan 491 më shumë çështje gjyqësore divorci në krahasim me 2011.
Po sipas të njëjtit burim, një vit më parë, numri i çështjeve familjare të regjistruara gjithsej ishte 10,084.
Tirana rezulton qyteti me numrin më të madh të divorceve 1,665, (Nisur edhe nga fakti se është qyteti me numrin më të madh të popullsisë).
Referuar të dhënave, vihet re se gjatë 2015-s, numër i lartë i divorceve është regjistruar në qytetet bregdetare (kryeson Vlora me 735 çështje) dhe në ato me emigracion më të lartë si Elbasani (me 632 çështje) apo Korça me 411 çështje.
Qytetet që kanë regjistruar gjatë 2015-s numrin më të ulët të divorceve janë Tropoja dhe Puka. Një nga shkaqet mund të jetë edhe tradita më e fortë e ruajtjes së bërthamës së familjes.