Mediat italiane kanë zbuluar emrin e 23-vjeçarit shqiptar që u ekzekutua mbrëmjen e kaluar në rrethinat e Barit në Itali. Sipas ‘repubblica.it’, viktima është Victorian Picaku. Familja e tij ka zbritur nga Mirdita në Durrës vite më parë.

Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën në mbrëmje, rreth orës 21:35, në një shesh të mbipopulluar të Coratos.

Picaku u qëllua nga pas nga dy persona që lëviznin me një motor “Scooter”. Plumbat e kapën të riun në kokë dhe mushkëri duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Policia italiane po kryen hetime për zbardhjen e ngjarjes.

Hetuesit shpjegojnë se nuk kishte të bënte me krimin e organizuar. Hetimet po zhvillohen në pista të ndryshme pa përjashtuar atë të pasionit.

Gjatë natës u morën në pyetje disa njerëz, anëtarë të familjes dhe miq të të riut, por edhe ata që panë ngjarjen. Mbetet për t’u verifikuar nëse ka qenë një person ose dy, në motor që kanë qëlluar e më pas u zhdukën. Hetimet koordinohen nga gjykatësja e Prokurorisë së Tranit, Raffaella De Luca.

Miqtë kanë shkruar në rrjetet socale, fjalë prekëse, por kanë shprehur edhe konsiderata të larta si e kanë njohur Viktorianin:

‘Vëlla, pushofsh në paqe. Do mbetesh gjithnjë në zemrën time. Pa fjalë vëlla”, shkruan një mik i tij, ndërsa një tjetër shprehet: “U prefsh në paqe, nga tani je engjëlli mbrojtës i të gjithëve’.

‘Të njihja prej pak kohësh, por e ndjeja që ishe një person i mrekullueshëm. Tani me siguri do të jesh në një vend më të mirë se ne. U prefsh në paqe mik’, shkruan një tjetër.

Veritas.com.al/