Krime të renda të mbetura ndër vite pa autor, si vrasje apo zhdukje personash, sot kanë një mundësi që të zbardhen. Këto dosje të arkivuara, tashmë janë në fokus të punës së Policisë Shkencore, që sot ka si pjesë të saj laboratorin e referencës së ADN-së. Një laborator që vjen si mbështetje nga Mbretëria e Bashkuar.
Provat shkencore, si ato biologjike dhe balistike, nisën të arkivohen që prej vitit 2005. Por në mungesë të një laboratori modern reference, shumë pak ngjarje janë arritur të zbulohen përmes profileve gjenetike.
Ngjarja e parë që u zbulua në vendin tonë përmes ADN-së, ishte vrasje e Mirit të Xhikes, më 29 mars 2003, që njihet si “Masakra e kartodromit”. Por kjo analizë u realizua në Itali dhe rrjedhimisht pati vonesa.
Sot, Policia Shkencore mund t’i kryejë vetë analizat e tilla, por edhe ti krahasojë provat biologjike në sistemin e të dhënave që ka laboratori i referencës. Deri tani këto prova kanë qenë të administruara në bazën kombëtare të të dhënave, CODIS,
“Ky moment dhe ky laborator është një mbështetje për të zbuluar edhe krime të vjetra, të cilat janë aty por mungesa e këtyre lloj teknologjive, na e ka bërë të pamundur zbardhjene autorëve dhe vendosjen e tyre para drejtësisë”.
Dosjet e shumë prej atyre vrasjeve që janë konsidruar si ngjarjet më të bujshme ndër vite e sot vijojnë të flenë në zyrat e Policisë, kanë mundësinë që të zbardhen. Me siglën “e pezulluar”, dosjet e këtyre ngjarjeve do të rihapen, me mundësinë që provat biologjike ta çojnë Policinë drejt autorëve.
Ngjarje të tilla ka shumë, por ato për të cilat vit pas viti është premtuar se do të zbardhen, janë edhe më të rëndat e që do marrin vëmendjen kryesore.
E tillë është vrasja e Kozeta Hysenit, e ndodhur më 19 shkurt të vitit 1999. Vajza e prokurorit nga Vlora, Luftar Hyseni, u gjet e masakruar me gur në kokë në Qytetin Studenti në Tiranë. Kjo ngjarje u hetua për vite me radhë, derisa dosja u pezullua në vitin 2005. Provat e kësaj vrasjeje janë të arkivuara e tashmë mund të analizohen në laboratorin e referencës, ku mund të ketë një rezultat pozitiv.
Tashmë Policia do rihapë edhe shumë dosje të tjera, ashtu sikurse dosjen e vrasjes së sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, Sali Tivari, e ndodhur më 13 janar të vitit 2003;
Dosjen e vrasjes së biznesmenit 38-vjeçar, Florian Vila, ngjarje e ndodhur në Tiranë, mbrëmjen e 9 prillit të vitit 2003;
Vrasjen e deputeti socialist, Fatmir Xhindi, që u ekzekutua më 3 maj 2009, pak metra larg shtëpisë së tij në Roskovec;
Vrasjen me eksploziv të gjyqtarit të Vlorës, Skerdilajd Konomi, më 9 shtator 2011;
Vrasjen e oficerit të Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës, Isa Çopa më 24 tetor të vitit 2011;
Vrasjen e drejtorit të bankës “Credins”, Artan Santo, e ndodhur në mes të Tiranës, më 26 qershor të vitit 2014 në Tiranë.
Këto dhe shumë ngjarje të tjera, sot kanë mundësinë që të zbardhen. Ashtu sikurse edhe krime të ndodhura së fundmi, që vijojnë të jenë pa autor.
Në Policinë Shkencore, më 25 prill të vitit 2015, u instalua sistemi CODIS i FBI-së, që përfshin bazën e të dhënave të Byrosë Federale të Hetimeve për ADN-të. CODIS është një sistem i kombinuar i indeksit të AND-së dhe lejon identifikimin e vërtetë të të dyshuarve, personave të humbur apo personave të tjerë që bëhen objekt hetimi i organeve ligjzbatuese. Tashmë këtij sistemi iu shtua edhe laboratori i referencës, që janë një armë e fortë në duart e Policisë Shkencore për zbardhjen e krimeve.