Organizata “Judicial Watch”, në një njoftim të botuar të mërkurën, akuzon Departamentin e Shtetit se ka ndihmuar me fonde organizatat e filantropistit Xhorxh Soros për aktivitetet politike në mbështetje të forcave të majta në Shqipëri.

“Judicial Watch”, një think-tank konservator, që vëzhgon abuzimet e mundshme të buxhetit federal në Shtetet e Bashkuara, i bazon akuzat mbi dokumentet e brendshme të Departamentit të Shtetit të siguruara përmes së drejtës së informimit.

“Judicial Watch” thotë se fonde prej rreth 9 milionë dollarësh të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID) i janë kaluar fondacionit Soros në Shqipëri gjatë vitit 2016, që sipas “Judicial Watch”, synonin t’i jepnin qeverisë socialiste kontroll më të madh mbi sistemin e drejtësisë përmes reformës në drejtësi.

“Judicial Watch” akuzon ambasadorin Donald Lu si të lidhur ngushtë me Sorosin dhe me qeverinë socialiste në Shqipëri.

I pyetur nga Zëri i Amerikës se si u përgjigjet këtyre kritikave, Ambasadori Lu tha se : ‘Kritikët e reformës në drejtësi i kanë etiketuar veprimet e Ambasadës së SHBA si të frymëzuara nga Soros’.

Reagimi i plotë i ambasadorit Lu për Zërin e Amerikës:

“Kritikët e reformës në drejtësi i kanë etiketuar veprimet e Ambasadës së SHBA si të frymëzuara nga Soros, edhe pse ne nuk ofrojmë financim për Fondacionet Shoqëria e Hapur (OSF), as nuk marrim ndonjë financim nga OSF.

Siç e kemi thënë më parë, Shtetet e Bashkuara mbështesin reformën e gjyqësorit në Shqipëri sepse është në interesin tonë kombëtar për ta bërë këtë.

Kur Shqipëria të ketë një sistem gjyqësor të pastër, do të jetë një aleate më e fortë në NATO. Do të jetë më pranë anëtarësimit në BE. Dhe reforma e gjyqësorit është edhe në të mirën e interesave të nënshtetasve dhe bizneseve amerikane në Shqipëri. Amendamentet për reformën e gjyqësorit në kushtetutën e Shqipërisë u miratuan unanimisht nga të gjitha partitë politike të Shqipërisë”. /VOA/

Veritas.com.al/