Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se po i jep fund menjëherë të gjitha negociatave tregtare me Kanadanë.
Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se vendi kishte transmetuar një reklamë ku shfaqej ish-presidenti amerikan Ronald Reagan, duke folur negativisht për tarifat doganore.
“Bazuar në sjelljen e tyre të pajustifikueshme, të gjitha negociatat tregtare me Kanadanë janë këtej e tutje të përfunduara,” shkroi Trump të enjten në mbrëmje.
Presidenti amerikan ka vendosur një taksë prej 35% mbi importet kanadeze, megjithëse ka lejuar përjashtime për mallrat që përfshihen në USMCA, marrëveshja e tregtisë së lirë midis SHBA-ve, Meksikës dhe Kanadasë, e negociuar nga vetë Trump gjatë mandatit të tij të parë.
Në reklamën një-minutëshe të publikuar nga qeveria e Ontarios javën e kaluar, dëgjohet zëri i Reagan-it duke folur mbi imazhe të Bursës së Nju Jorkut dhe vinçave të zbukuruar me flamuj amerikanë dhe kanadezë.
Videoja përmban një pjesë nga një fjalim radiofonik kombëtar i vitit 1987 të Reagan-it që kishte në fokus tregtinë e jashtme.
“Kur dikush thotë ‘le të vendosim tarifa mbi importet e huaja’, duket sikur po bën gjënë patriotike, duke mbrojtur produktet dhe vendet e punës amerikane. Dhe ndonjëherë, për një periudhë të shkurtër, funksionon, por vetëm për pak kohë,” thotë Reagan, në video. “Por në planin afatgjatë, pengesat tregtare dëmtojnë çdo amerikan, si punëtorin, ashtu edhe konsumatorin. Tarifat e larta çojnë pashmangshmërisht në kundërmasa nga vendet e huaja dhe në shpërthimin e luftërave tregtare… Tregjet zvogëlohen dhe bien, bizneset dhe industritë mbyllen dhe miliona njerëz humbasin punën,” shton ai, citon BBC.
Në postimin që shoqëronte videon, kryeministri i Ontarios, Doug Ford, shkroi se “ne kurrë nuk do të ndalojmë së argumentuari kundër tarifave amerikane ndaj Kanadasë.”
Në një postim në X (ish-Twitter), Fondacioni Ronald Reagan tha se qeveria e Ontarios kishte përdorur një “audio dhe video të përzgjedhur” nga fjalimi i ish-presidentit amerikan për tarifat.
“Qeveria e Ontarios nuk ka kërkuar dhe as ka marrë leje për të përdorur apo redaktuar këto deklarata,” thuhet në njoftim.
Fondacioni shtoi se reklama “keqinterpreton” fjalimin e ish-presidentit, pa dhënë detaje pse.
Gjithashtu deklaroi se po “shqyrton opsionet ligjore” të mundshme.
Reklama u transmetua si pjesë e një fushate me vlerë 75 milionë dollarë kanadezë (rreth 54 milion $) në kanalet kryesore televizive amerikane.
Trump ka vendosur gjithashtu taksa të veçanta sektoriale për mallrat kanadeze, duke përfshirë 50% për metalet dhe 25% për automjetet.
Tarifat globale të Shtëpisë së Bardhë, veçanërisht mbi çelikun, aluminin dhe makinat, kanë goditur rëndë Kanadanë, duke shkaktuar humbje vendesh pune dhe duke vënë presion mbi bizneset.
Ambasada e Kinës në Washington gjithashtu përdori një klip të ngjashëm me Reagan-in në një postim në X më herët këtë vit, për të vënë në dyshim tarifat globale të Trumpit.
Komente