(FOTO: David Petraeus, ish drejtor i CIA-s)

 Presidenti i zgjedhur Donald Trump ka takuar të hënën në Nju Jork gjeneralin në pension David Petraeus, ish drejtor i CIA-s, që është një nga pretendentët për postin e sekretarit të shtetit.

Procesi i rekrutimit për këtë post prestigjioz për qeverinë që do të marrë frenat e Shteteve të Bashkuara në 20 janar duket se ka nxitur luftëra të brendshme në gjirin e ekipit të tranzicionit të Donald Trump. Një pjesë e mbështetësve të presidentit të ri e kundërshtojnë publikisht emërimin e Mitt Romney, një ish-armik i tij.

David Petraeus, 64 vjeç, ka komanduar skenat e operacioneve në Irak dhe në Afganistan, përpara se të drejtonte CIA-n nga 2011 deri në 2012 dhe të jepte dorëheqjen për arsye të një aventure jashtëmartesore.

Ai u shpall më pas fajtor për nxjerrje të informacioneve konfidenciale të dashurës dhe biografes së tij, Paula Broadwell, çka i kushtoi në 2015 dënimin me dy vjet dënim me kusht dhe 100.000 dollarë gjobë.

Petraeus u prit për rreth një orë të hënën, 28 nëntor, në Trump Tower.

Presidenti i zgjedhur “dëshmoi një njohje të thellë të sfidave të shumta me të cilat ne përballemi si edhe të oportuniteteve”, u deklaroi David Petraeus gazetarëve pas takimit. “Të shohim ç’do dalë nga kjo “.

“Sapo takova gjeneralin Petraeus – jam shumë i impresionuar!”, shkroi shkurt në Twitter Donald Trump.

Kandidaturat e tjera zyrtare për postin e shefit të diplomacisë janë Mitt Romney, kandidat në zgjedhjet presidenciale në 2012, ish kryebashkiaku i Nju Jorkut Rudy Giuliani, madje edhe kryetari i komisionit të Çeshtjeve të jashtme të Senatit, Bob Corker.

Romney dhe Corker do të takohen të martën me Donald Trump në Nju Jork, sipas ekipit të tij të tranzicionit.

Për Mitt Romney, ky do të jetë takimi i dytë në dhjetë ditë. Ata i ulën sëpatat e luftës në 19 nëntor në golfin e miliarderit në Bedminster në Nju Xhersi, ndërkohë që gjatë fushatës për kandidimin brenda partisë republikane, Mitt Romney e kish akuzuar egër Donald Trump si të paaftë për të ushtruar funksionin presidencial. Disa këshilltarë të Donald Trump mesa duket nuk i kanë kapërdirë këto akuza, konkretisht Kellyanne Conway, e cila i përmendi edhe të dielën e kaluar në një dalje të saj në televizion.

“Njerëzit ndjehen të tradhtuar vetëm nga idea që M. Romney, i cili vuri tërë peshën e tij në peshore për të vënë në pikëpyetje personalitetin, intelektin dhe integritetin e Donald Trump, presidentit tonë të zgjedhur, të emërohet në postin më të lartë të kabinetit, atë të sekretarit të shtetit”, ka thënë ajo në emisionin politik të të dielës në NBC.

Nga ana tjetër, sipas mediave amerikane, Donald Trump duket se ka zgjedhur Tom Price, një kundërshtar i egër i reformës së sigurimeve shëndetësore Obamacare, për të ushtruar funksionin e sekretarit për Shëndetësinë dhe mund ta njoftojë këtë emërim zyrtarisht sot, të martën 29 nëntor.

Edhe zëvendës presidenti i zgjedhur Mike Pence u ka deklaruar gazetarëve se “një sërë njoftimesh të rëndësishme” priten të bëhen publike të martën, një ushqim për spekulimet në lidhje me emërime të tjera të kabinetit të ardhshëm.

/Veritas.com.al/