Duket se zgjedhja e datës së dasmës ka ndikim në shanset që martesa të zgjasë. Ky është konstatimi i dy kërkuesve amerikanë që janë marrë me këtë çeshtje.
Të martohesh ditën e Shën Valentinit apo në një datë tjetër po kaq simbolike? Ide e keqe! Ky është në fakt përfundimi që del nga një studim i kryer nga dy ekonomistë të Universitetit të Melburnit: “martesat e zyrtarizuara në datat jo të zakonshme, si – 9/9/99; 1/2/03 apo edhe 20/08/2008 – kanë nga 18 deri 36% shanse plus për të përfunduar në divorc”.
Dy studiuesit universitarë – Jan Kabátek dhe David Ribar – kanë marrë në shqyrtim rreth një milion çifte të martuarish, që e kanë zyrtarizuar lidhjen e tyre nga 1999 deri në 2013. Ata kanë mundur të këqyrin se ata që kishin parapëlqyer një datë simbolike për dasmën e tyre kishin qartazi më shumë shanse për t’u divorcuar në fund të 5 vjeçarit të parë të martesës.
Ndonëse studiuesit nuk paraqesin arsye fort të qarta, rezulton se këto çifte të martuar në data simbolike kanë shumë më pak pika të përbashkëta mes tyre. “Zbuluam se bashkëshortët e martuar në data të veçanta kanë më pak ngjashmëri mes tyre”, saktëson Kabátek. Diferencë të ndjeshme në moshë, nivele të ndryshme shkollimi, fëmijë nga një martesë e mëparshme të njërit prej bashkëshortëve, disa nga karakteristikat që ata kanë gjetur tek çiftet që kanë zgjedhur një datë “simbolike” për të celebruar bashkimin e tyre.
Si përfundim, studiuesit i zbusin rezultatet e tyre duke shpjeguar përfundimisht se nuk janë datat e caktuara që ndikojnë në jetëgjatësinë e martesave, por që në të kundërtën, janë çiftet më pak të qëndrueshëm ata që parapëlqejnë këto lloj datash.
Nga Emmanuelle Ringot