Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi pas mbledhjes së qeverisë se është miratuar harta e re gjyqësore.

“Do të ketë 13 gjykata të shkallës së parë, një Apeli dhe dy administrative. Miratimi i hartës së re gjyqësore është një hap i rëndësishëm në Reformën në Drejtësi. Është një punë e shkëlqyer 3-vjeçare. Në gjykatat që do të mbyllen, nuk do të cenohet asnjë shërbim gjyqësor”, tha Manja.

“Implementimi i hartës së re do të bëhet me faza. Harta e re ka disa risi, do të standardizohet koha mesatare e dhënies së vendimit, do të shpërndajë drejtë çështjet te gjyqtarët, do të ketë një short real për gjyqtarët. Sfida është që kjo fazë tranzitore të shfrytëzohet si periudhë edukimi dhe ambientimi i qytetarëve me gjykatat e reja që krijohen”, shtoi ministri i Drejtësisë.