Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Hidajet Bajraktar, në një intervistë dhënë sot për Gazetën Shqiptare, deklaron se qeveria e tij i ka kërkuar qeverisë së Edi Ramës, të veprojë kundër zgjatimit të asaj që e quan, organizata terroriste Feto në Shqipëri. Por për sa i përket asaj që media e ka etiketuar si “lista Gylen”, me mbështetës të Fetyllah Gylen në Tiranë, ai nuk jep emra, duke thënë se është një listë e klasifikuar.
“Pa diskutim që në Shqipëri ka një strukturë aktive dhe disa institucione e individë të lidhur me FETO. Duke qenë se këto struktura janë zgjatime të një organizate terroriste, të jeni të bindur se sikurse u vërtetua edhe në Turqi, në momentin kur do të preken interesat e tyre, ata mund të bëjnë shumë të këqija edhe në Shqipëri. Nuk dëshiroj të bëjë komente pozitive apo negative për çështje të klasifikuara (konfidenciale). Dëshiroj të them vetëm këtë gjë. Ne presim që ndaj aktivitetit të institucioneve apo individëve që kanë lidhje me organizatën FETO në Shqipëri, të ndërmerren sa më shpejt, masa serioze dhe efektive”, thotë ambasadori Bajraktar duke shtuar, se kjo çështje ka një rëndësi të madhe për sa u përket marrëdhënieve mes dy vendeve.
Por agjencia e lajmeve Anadolu, në një shkrim të saj të fundit është më e specifike, për këtë çështje. Sipas saj rrjeti i predikuesit Fetyllah Gylen, që akuzohet se ka organizuar grushtin e shtetit në Turqi, është shumë i shtrirë në Shqipëri.
“Aktiviteti nisi në vitin 1993 me ngritjen e Fondacionit Gulistan. Në Tiranë ata kanë gjimnazet “Mehmet Akif” dhe “Turgut Ozal”, “Memorial International School of Tirana”, kurse në Shkodër dhe Durrës kanë shkollat fillore “Hasan Riza Pasha” dhe “Turgut Ozal”.
Dy universitete të mëdha, Epoka dhe Beder në Tiranë kanë lidhje me Feto, që ka marrë kontrollin e shkollave tradicionale islamike, të njohura si medrese”.
Agjencia shkruan gjithashtu, se lëvizja Gyleniste ka privatizuar medresetë në Tiranë, Kavajë, Korçë, Elbasan dhe Berat, duke bërë biznes me këto shkolla, që më përpara ishin pa pagesë.
Anadolu shkon edhe më tej kur shkruan, se edhe institucioni i edukimit Meridian ka lidhje me këtë lëvizje. Po ashtu edhe një OJQ, e quajtur Horizontet e Reja, kurse librat e Gylen botohen në Shqipëri nga kompania Prizmi. Fondacioni Gylen ka gjithashtu, edhe një faqe në internet në gjuhën shqipe.