Senati amerikan nuk e ka miratuar emërimin e David Kostelancik si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Ai u emërua ambasador i SHBA në Tiranë nga Presidenti i SHBA, Joe Biden në 24 janar të 2023, por senati në vendimin e marrë më 3 janar parashikon rikthimin e propozimit në zyrën e kreut të Shtëpisë së Bardhë.

Burime nga ambasada Amerikane në Tiranë, thanë për Report TV, se bëhet fjalë për një akt procedural që parashikon riparaqitjen e propozimit nëse nuk është miratuar ose refuzuar nga senati deri para pushimeve.

Duke qenë se kandidatura e tij nuk u miratua nga Senati, procedura parashikon se presidenti i SHBA Biden mund të çojë sërish të njëjtin emër, atë të diplomatit Kostelancik ose emër tjetër për të marrë miratimin e senatit si ambasador amerikan në Tiranë. Emri i ri që do të miratohet edhe nga senati do të zëvendësojë Yuri Kim, ndërsa aktualisht selia diplomatike e SHBA në Shqipëri drejtohet aktualisht nga i ngarkuari me punë David Vvisner, pas mbarimit të mandatit të Kim në korrik të këtij viti.

Kostelancik njihet si diplomat me një karrierë 30-vjeçare. Në Shqipëri ka shërbyer edhe më përpara në periudhën 1992-1994, si përfaqësuesi i parë për çështjet politike dhe ekonomike në ambasadën e porsahapur amerikane në Tiranë. Para emërimit si ambasador nga Biden, i shërbente si Këshilltar për Politikën e Jashtme i Shefit të Shtatmadhorisë amerikane, Gjeneralit Mark Milley. Diplomati Kostelancik, me origjinë nga shteti i Ilinoit, është diplomuar në Universitetin Northwestern të këtij shteti. Ai flet rusisht, hungarisht, shqip dhe turqisht.