Kryeministri Edi Rama i ka dhënë fund dilemës për lirimin nga detyra të Ardi Veliut. Me anë të një postimi në Twitter, ka bërë publik dokumentin e kërkesës për dorëheqje të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Rama shpreh konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu. Ndër të tjera, thotë se është i bindur se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera si dhe e falenderon nga zemra për kontributin e vyer.
Një prej emrave që përflitet se do të marrë postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është Gledis Nano, drejtori i Antiterrorit.
Letra e kërkesës për dorëheqje
“Për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit si Drejtues i Policisë së Shtetit për katër vitet e fundit në një punë sfiduese e impenjative të përditshme, shpesh larg familjes e fëmijëve që kanë sakrifikuar bashkë me mua. Jam përpjekur të jap më të mirën time dhe të forcave tona policore duke menaxhuar situata komplekse nga lufta kundër trafiqeve e drogës, krimit të organizuar e atij të rrugës, flukset e emigrantëve apo dhe tubimet shpeshherë të dhunshme.
Por në këto momente kam vendosur të mos kërkoj mandate tjetër dhe t’ju ofroj dorëheqjen time për t’u përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve që tani janë në një moshë delikate e të cilëve ju kam munguar pafund këto katër vite.
Kjo ka qenë padyshim përvoja më e vyer e jetës sime dhe ju falenderoj për besimin, mbështetjen dhe kurajon e vazhdueshme pa të cilat nuk do kishim arritur të menaxhonim me sukses kaq shumë sfida. Mezi pres të punojmë sërish së bashku në të ardhmen në shërbim të njerëzve tanë.
Me mirënjohjen më të thellë e konsideratat më të larta,
Ardi Veliu”.