Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të doktor Hysni Shkjaut u bë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas MSH-së, mjeku luftonte prej disa ditësh me COVID19 në spitalin infektiv dhe gjendja e tij u rëndua si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe disa sëmundjeve bashkëshoqëruese.

Po ashtu, Ministria sqaroi se 69-vjeçari, me 40 vite eksperiencë, nuk e kishte ndërprerë punën dhe vijonte të shërbente si mjek familje në qendrën shëndetësore Qafë-Mali në Bashkinë Fushë-Arrëz të Pukës.

Kujtojmë se pak ditë më parë një tjetër mjek humbi jetën për shkak të këtij virusi, ndërsa bëhej fjalë për hematologun Arjan Pushi.

Manatriliu: dhimbje e madhe për të gjithë ne:

“Më trishtoi pa masë lajmi për ndarjen nga jeta këtë mëngjes e dr. Hysni Shkjaut, mjekut të përkushtuar, që shërbeu pa u lodhur dhe nuk u nda për asnjë ditë nga banorët e komunitetit në zonën e Qafë-Malit në Pukë!
Ndarja nga jeta e dr. Hysniut është një dhimbje e madhe për të gjithë ne, për familjen, për kolegët, për banorët e zonës së Pukës, ku shërbeu për 40 vite me përkushtim e profesionalizëm.
Dr. Hysniu nuk mundi ta fitonte betejën me virusin e rrezikshëm, megjithë përpjekjet e mjekëve, të cilët bënë të pamundurën për ta mbajtur në jetë në spitalin infektiv.

Ngushëllime të sinqerta familjes dhe kolegëve! U prehsh në paqe doktor Hysniu!”, shkruan zonja Manastirliu

VERITAS.COM.AL/