
“Një dre i veçantë ka lindur dy javë më parë në Kopshtin Zoologjik në Tiranë. Lindja e një dreri të tillë është një fenomen i rrallë natyror”
Kafsha e vogël që gjendet mes drerëve të tjerë ka një gëzof të errët, që e dallon nga të zakonshmit me ngjyrën e kuqërremtë, duke e bërë atë unike.
“Është fenomen i rrallë sepse tek specia e drerit ‘dama dama’ nuk është normale kjo ngjyrë. Është për shkak të një mutacioni gjenetik që quhet melanizëm. Fenotipi i errët mbizotëron në të tjerat”.
Dreri i zi njihet si i tillë në emërtimin popullor, për shkak të pigmentit të errët që e bën atë të duket pothuajse i zi, shumë ndryshe nga ngjyra natyrale e kësaj kafshe.
” Zakonisht qëndron në këtë ngjyrë, është një kafe me nuancë shumë të erret, mund të hapet pak, por jo ndonjë diferencë shumë e madhe, përkundrejt besimit të njerëzve që e krahasojnë dhe dhitë nuk është e njëjta gjë. Nuk po themi që qëndron tani i zi që t’i ngjajë të ëmës më vonë.
Sipas veterinerit të Kopshtit Zoologjik një fenomen i tillë në Shqipëri nuk ka ndodhur të paktën në dekadat e fundit.
” Ka pasur lindje çdo vit dhe është hera e parë në 25 vitet e fundit që lind një drer me këtë nuancë të errët. Ndodh një në 100 mijë drerë”
Që nga lindja e tij, dreri i vogël është kthyer tashmë në kafshën më tërheqëse të Kopshtit Zoologjik. Vizitorët mund të shohin nga afër një fenomen që nuk ndeshet shpesh në natyrë, si një dëshmi e bukurisë e njëkohësisht misterit të botës së egër.
“Është një gjë nuk është parë më përpara. Nuk është diçka që ne e tentuam ta bëjmë, por ka ndodhur. Ne e dinim që kishim një barsmëri në tre drerë dhe e dinim që do kishim të vegjël. Më parë nuk kishim kaq shumë vizitorë që fiksoheshin për minuta të tëra para drerëve, tani kjo ndodh. Do tërheqë edhe më shumë kur të rritet sepse do bëhet akoma më i bukur”
Drerët e Kopshtit Zoologjik të Tiranës, të njohur si “lopatar dama dama” nuk janë shumë të përhapur në natyrën e egër të Shqipërisë.
“Ka në natyrë të egër në zonën e Fierit dhe Myzeqesë, por më së shumti është specie që i përket natyrës së gadishullit Apenin dhe gadishullit Iberik. Ne në Shqipëri, kemi më shumë kaprollin, që është pak më i vogël. Ai po që është i errët. Ekziston edhe ky dyshimi në publik që mund të ishte një kryqëzim midis dy specieve, por kjo është e pamundur, pasi nuk arrin të krijohet barsmëria. Pra dukuria që shihni është falë një mutacioni gjenetik që normalisht është normale të ndodhë me kombinime të ndryshme”
Në kopshtin Zoologjik të Tiranës aktualisht ndodhen 11 drerë.
“Kemi menduar të bëjmë një reduktim të meshkujve që të kemi një riprodhim më të kontrolluar. Por për momentin hapësira që kemi është e mjaftueshme për këta drerë, apo edhe dyfishin e tyre.”
Mesatarisht një drer në natyrë ka një jetëgjatësi jo më shumë se 10 vite, ndërsa në kushtet e mbajtjes në një Kopsht Zoologjik i kalon 15 vitet
Komente