Nga Laert Skiro/

Me drogë u kap Shukriu, me drogë u kap edhe Elvisi; madje me të njëjtën lloj droge. Po ku është problemi, ëëë?!

Duket sikur po flasim me kode, por për qëllime stilistike. Sepse droga e të dy ve është “femra, njeriu femër!”. Të dy këta kanë përdorur këtë mall. Malli është i njëjtë. Por kanë edhe disa gjëra po kaq të njëjta:

E njëjtë është është pozita që mbanin në piramidën e pushtetit: kryetarë bashkie. E njëjtë ishte paga si kryetarë bashkie. E njëjtë është partia që përfaqësojnë, madje edhe sekti brenda partisë; partia është “Socialiste”, ndërsa sekti është “Rilindje”. Po ku është problemi!? Ëëëëë?… Kështu përgjigjen nën të njëjtin dirixhim liderët e Partisë Socialiste, duke nisur nga kryetari deri te drejtoresha e Tatimeve dhe Taksave.

Në njëfarë mënyre, edhe dje e komplikoi problemin vetë kryeministri Edi Rama, kur deklaroi se “një kriminel” që ka qenë dënuar dhe punon në administratë, nuk mund të quhet më kriminel. Shumë e komplikuar, që do të thotë se edhe po të kesh kryer krim, hajde në administratën e shtetit dhe laj mëkatet.

Por është diku tjetër problemi:

Të dy kryetarët e Bashkive u kapen me “drogë”- njësoj. Por tani ndodhen në statuse të ndryshëm.

Shukri Xhelili, ish- kryetar i Bashkisë së Dibrës, u kap duke abuzuar me detyrën, ose më shqip duke i kërkuar marrëdhënie intime një femre. Ky është shkarkuar nga detyra; por përveç kësaj ndodhet në burg dhe nën hetime të mëtejshme nga Krimet e  Rënda. Mirë.

Po Elvis Roshi, kryetar i Bashkisë së Kavajës? Ky është kapur në Itali, jo me një femër, por me shumë femra duke i shitur. Akuza është trafikim i qenieve njerëzore, ose e shkurtuar “prostitucion”. Por është bërë një luftë e madhe për ta hequr nga posti i kryetarit të Bashkisë. Partia dhe Qeveria e mbrojtën me thonj e me dhëmbë. Vetëm presioni ndërkombëtar, sidomos amerikan, mundi ta çmontojë. Ndërsa kryetarin Shukri Xhelili e “lëshuan” menjëherë dhe e dërguan në burg. Ky u harrua, ndërsa Elvisi është prezent edhe në ekranet e Vitit të Ri.

Ku është problemi? Ëeee?!

Se problemi i të dyve bashkohet përsëri te “droga”. Të dy u kapën me drogë, domethënë me femra.

Por ndërsa Shukriu e kishte “drogën” për përdorim vetjak, dhe vetëm një dozë; Elvisi e ka “me shumicë” dhe e jep për të tjerë, për italianë a kombe të tjerë.

Domethënë prapë vjen tregtia e njerëzve femra.

Këtu është problemi. Por në rastin e  Shqipërisë, droga me shumicë nuk ndëshkohet, ndërsa droga për përdorim vetjak burgoset.

/Veritas.com.al/