Kryeministri Edi Rama ka folur për herë të parë për ndërhyrjen kirurgjikale që kreu në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për hernien inguinale, duke rrëfyer peripecitë që iu desh të kalojë.

“M’u desh të kryej një ndërhyrje kirurgjikale dhe të marr rrugët kundër shkencës”, tha kreu i qeverisë.

Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se duhet të qëndronte 3 ditë pushim, por e kishte të pamundur pasi duhet të priste presidentin turk Erdogan në Tiranë dhe më pas të udhëtonte drejt Hungarisë dhe në Luksemburg për të hapur grup-kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

“Të nesërmen duhet të rrija në këmbë për të pritur sulltanin, që vinte nga Lindja, pastaj të nesërmen duhet të merrja rrugët në qendrën e ish- perandorisë hungareze për të takuar mikun tim Viktor Orban, për ta falënderuar për gjithçka bërë Hungaria për këtë shtysë të fundit dhe pastaj duhet të shkonim së bashku dhe të uleshim në atë sofër si të barabartë”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se ishte nën efektin e disa injeksioneve shumë të forta për të shmangur dhimbjet, që i shkaktuan pagjumësi.

Edi Rama: Mu desh të kryej një ndërhyrje kirurgjikale dhe të marr rrugët kundër shkencës, komplet, se duhet të qëndroja të paktën 3 ditë pushim, por ishin 3 ditë komplet të pamundura sepse të nesërmen duhet të rrija në këmbë për të pritur sulltanin, që vinte nga Lindja, pastaj të nesërmen duhet të merrja rrugët në qendrën e ish perandorisë hungareze për të takuar mikun tim Viktor Orban, për ta falënderuar për gjithçka bërë Hungaria për këtë shtysë të fundit dhe pastaj duhet të shkonim së bashku dhe të uleshim në atë sofër si të barabartë.

Kjo bëri që nën efektin e disa injeksioneve shumë të forta, që kishin si pasojë qëndrimin pa gjumë për të shmangur dhimbjet, kam shëtitur pas shumë vitesh nëpër ekrane.

Unë nuk i ndjek, dihet botërisht që nuk i ndjek debatet në studio, marr një rezyme të shkurtër për gjërat që janë të rëndësishme, por kam pamundësi fizike që të mund të jem në gjendje për punë po të ndjek atë lemeri. Nga çfarë pashë në atë moment, kuptova që është e nevojshme që publiku të informohet sepse ka një mjegull, një keqkuptim, një përzierje llafesh.

Ky proces është shumë teknik dhe mund të jetë i mërzitshëm, mundohemi të japim idenë që Bashkimi me Europën është rrugë e dy korsi.

Është korsia e përditshme e reformave e masave, vlerësimeve faktike nga Komisioni Europian dhe politike, sepse është një familje politike që vendos përtej atyre që janë kritere objektive.

Ne kemi parë që ndërkohë që negociatat përsa i përket të detyrave tona dhe vlerësimit të komisinot janë rekomanduar të fillojnë, dera na ka qëndruar e mbyllur duke na shtyrë në kohë.