Arrestimi i një gjyqtari të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, është konfirmuar zyrtarisht nga Policia e Shtetit.

Mbi Shkëlqim Mirin, 46 vjeç, rëndojnë dy akuza: “Korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.

“Grupi hetimor kishte krijuar dyshime të arsyeshme të bazuara në prova, për favorizim e një të dënuari për veprën penale të vrasjes me dashje dhe armëmbajtje pa leje, kundrejt kërkimit dhe marrjes së përfitimeve monetare të paligjshme”, thotë policia, duke iu referuar hetimit mbi gjyqtarin.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Shkallës së Parë e ka deklaruar fajtor autorin dhe dënuar me 20 vjet burgim. Në Gjykatën e Apelit Tiranë është ndryshuar klasifikimi i veprës penale nga “Vrasje me dashje” në “Plagosje e rëndë” dhe aktualisht autori është liruar nga burgu.

“Në bazë të dyshimeve të bazuara në provat e siguruara gjatë hetimit pro-aktiv, ka rezultuar dhe janë dokumentuar një sërë veprimesh dhe lidhjesh të dyshimta që për marrjen e këtij vendimi, gjyqtari Miri ka marrë një sasi të konsiderueshme parash”, tha policia.

Uniformat blu zbardhën edhe “thesarin” e gjetur në banesën e gjyqtarit.

“Në kontrollin e banesës me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të kryer nga strukturat e Hetimit të Korrupsionit në Policinë e Shtetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 174,810 euro; 10,149,000 lekë dhe 1,000 dollarë”, tha policia, duke shtuar se për këtë rast hetimet po vazhdojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të implikuar.

Veritas.com.al/