(FOTO: Pamje nga selia e Universitetit Shkodër)/
Policia ka njoftuar sot se në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër është zbuluar një skemë kriminale korrupsioni ku pedagogu merrte deri 700 euro për një provim.
Një hetim i Prokurorisë së Shkodrës ka zbuluar se disa shefa departamentesh dhe studentë të Fakultetit Filologjik në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, nëpërmjet disa personave që kryenin rolin e sekserëve, kanë krijuar një skemë korrupsioni në dhënien e provimeve, në vlera monetare që varionin nga 200- 700 euro.
Mirëpo Policia ka përdorur dy emra shumë të njohur për Shkodrën, si të përzierë në këtë akt. Njëri është Vehbi Bala dhe tjetri është Ndoc Deda. Sapo kanë dëgjuar këta dy emra, për një moment shkodranët e meso- moshës kanë ndjerë një të papritur. Sepse të dy këta emra, për ta janë shumë të njohur. I pari, Vehbi Bala, ka qenë një nga studiuesit më në zë të botës akademike në Shkodër në fundin e shekullit të kaluar. Ndërsa i dyti, Ndoc Deda, është hero i Popullit, një nga pesë heronjtë e Vigut- monumenti i të cilëve ka qenë vendosur [në sheshin para Teatrit Migjeni.
Sigurisht, edhe dy sekserët pedagogëve të Shkodrës, kështu i kanë emrat. Por Policia as ka menduar se mund të shtojë një nick-name, ose një emër babai për fajtorët, me qëllim që të mos ngatërroheshin me figurat e mëdha të Shkodrës.
Sidoqoftë, kthimi te afera korruptive kriminale, na zbulon disa emra në Universitetin e Shkodrës.
“Prokuroria e Shkodrës ka arritur të zbulojë se zv.Dekani i Fakultetit të Filologjisë dhe Shefi i Katedrës së Historisë, nëpërmjet sekserëve Vehbi Bala dhe Ndoc Deda, kanë marrë para nga studentë të ndryshëm. Në këmbim, pedagogët u kanë siguruar studentëve nota kaluese në provime të ndryshme ose vlerësime të larta, të cilat më pas do të shërbenin për regjistrimin në master”, thuhet në njoftimin për mediat.
Të dyshuar për “korrupsion pasiv” janë: Rokin Dabërdaku,- pedagog, zv.Dekan i Fakultetit të Filologjisë
dhe Simon Lufi, pedagog, Shef i Departamentit të Historisë.
/Vritas.com.al/