Me shkrirjen e gjykatave të Apelit është rihedhur shorti edhe për çështjen e Partisë Demokratike për sa i përket vendimit se kujt i takon vula.
Shorti ka caktuar Elona Mihalin si gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja.
Kujtojmë se nga 1 shkurti ka hyrë në fuqi faza e parë e hartës së re gjyqësore me riorganizimin e gjykatave të apelit duke lënë në funksion vetëm Gjykatën e Apelit në Tiranë.
Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës, Korçë dhe Gjirokastër do të shkrihen.
Më 17 janar, Gjykata e Apelit pushoi gjykimin për çështjen e PD-së, pasi grupimi i Alibeajt u tërhoq nga ankimi për bashkimin e dy statuteve.
Ishte përfaqësuesi ligjor Indrit Sefa, ku përmes një deklarate tha se “sot dëshirojmë t’ju informojmë që në seancën gjyqësore që pritet të fillojë pas pak Partia Demokratike do të paraqesë një kërkesë për heqjen dorë nga ankimi e për pasojë pushimin e gjykimit të kësaj çështje”.
I vetmi vendim për t’u zgjidhur, është ai i Gjykatës së Tiranës (i njohur si vendimi i Agron Zhukrit), për të njohur statusin e Berishës, dalë nga Kuvendi i 11 dhjetorit 2021.
Gjyqi i PD-së
Ishte përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso – që e konsideroi nul vendimin e dhënë nga Gjykata e Tiranës për të njohur si ankimimin e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj – ndaj vendimit të gjyqtarit, Agron Zhukri, që mandatoi Komisionin e Rithemelimit si organi drejtues i PD-së.
Më 25 mars, Alibeaj, fill pas vendimit të njohjes nga gjykata të ndryshimeve statutore të dala nga Kuvendi Kombëtar i PD-së më 11 dhjetor – i thirrur nga lideri Sali Berisha – deklaroi se, siç parashikon ligji, do ta ankimojnë këtë vendim.
Duke e cilësuar si një vendim në nivelet e skandalit, Alibeaj bëri të ditur se do të ketë kallëzim penal për gjyqtarin Agron Zhukri.
Ky i fundit, sipas tij, ka nxjerrë një vendim pa dosje e fakte dhe pa patur palët.
Sipas tij, që një vendim të ketë efekt, palët duhet të jenë prezentë dhe kjo u është mohuar nga gjykata.
Sakaq, ai ka vijuar se dosjet janë në Gjykatën e Apelit dhe, për rrjedhojë, gjyqtari, sipas tij nuk i ka poseduar këto prova.
Herë pas here janë bërë përpjekje për bashkim. Por, PD ka ngelur e ndarë. Me caktimin e 14 majit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore, dy grupimet brenda PD-së bënë përpjekje për bashkim, duke përcaktuar edhe “nikoqirët e bisedimeve”.
Gazment Bardhi dhe Edi Paloka – pavarësisht përpjekjeve – nuk e gjetën konsensusin për të dalë me një kandidat të vetëm.
Kështu, pas kushteve të vendosura nga secili, konsensusi nuk u realizua.