Nga: Laert Skiro/

Përfaqësuesi zyrtar i Departamentit të Shtetit i Shteteve të Bashkuara, ambasadori Donald Lu, sot në mëngjes deklaroi se ‘dy kriminelë’ nuk po burgosen dot nga shteti shqiptar.

Njëri është Lulzim Berisha, i cili ndodhej në burg por i hoqën prangat dhe tani shteti nuk po e arreston. Ndërsa i dyti është Klement Balili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej disa muajsh, por që ‘Drejtësia nuk po e kap”.

Sinjalet e ambasadorit të shteteve të Bashkuara të Amerikës janë të forta në kambanat e shtetit.

Po ky ambasador, prej muajsh të kaluar, ka bërë thirrje ‘të burgosen Emiliano Shullazi dhe Kelment Balili”. Mirëpo gjatë gjithë kohës, në vend të aktit të kërkuar nga përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, është thurur një ‘pëlhurë’ e tërë velash që e çojnë anijen sa në hotelin luksoz të Balilit ku “flenë ministrat me të dashurat”, aq edhe te historitë pa fund me gjoba dhe pengmarrje të Shullazit.

Jo vetëm nuk janë arrestuar, por ambasadori i Shteteve të Bashkuara, u detyrua të tregojë edhe se të burgosurit ‘që nga burgu shesin drogë”.

Ambasadori Lu sot e vuri gishtin në “katër familje kriminale’ që tronditin Shqipërinë dhe rajonin, duke na sjellë ndërmend familjet mafioze të Nju Jorkut në vitet ’30 të shekullit të kaluar.

Por duke ndjekur rrjedhën e ngjarjeve mbi familjet kriminale në Shqipëri, secili mund të pyesë: Pse vallë nuk ka kaq fuqi shteti sa të burgosë dy ose dyzet kriminelë që po i kërkon edhe vetë Amerika?!

Pyetja bëhet edhe më me peshë kur në arsyetim sillet fakti që Shtetet e Bashkuara është aleati më i madh i kombit dhe shtetit shqiptar; të paktën për këtë ‘besim’ të ishte bërë hapi i arrestimit të kriminelëve…

As kjo vlerë kombëtare dhe morale nuk vlen në rastin konkret.

Po, atëherë, për shkak se shteti ka për detyrë q ëtë pastrojë zonën e vet nga rreziku kriminal i organizuar dhe shumë i rrezikshëm për vendin dhe botën? Po kjo a nuk hynë në punë?

Shteti shqiptar ndodhet para faktit tronditës që nuk arreston kriminelët e njohur dhe të piketuar. A nuk është në gjendje fizikisht që të bëjë këtë gjë? Apo moralisht nuk e bën dot? Nëse ka arsye ‘të paaftësisë’, pse vallë e liroi Lul Berishën dhe e punësoi në Bashkinë e Durrësit?

Nëse nuk  ka fuqi morale, do të thotë se shteti vetë është i lidhur me kriminelët. Kjo është tragjike. Në lidhjet e shtetit me mafien, gjatë historisë botërore, janë krijuar rreziqet e njerëzimit.

Tani përsëri vijmë te pika e fillimit: Dy shtete: SHBA dhe Shqipëria nuk mund të arrestojnë dy kriminelë (!). Kjo duket e  pamundur, por është e vërtetë.

Veritas.com.al/