Ka dështuar tentativa arratisjes të dy të burgosurve nga burgu 313.
Të njëjtat burime thanë se personi i dytë është Fatmir Pjetri. Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri kanë shfrytëzuar momentin e ajrosjes dhe më pas kanë tentuar të hidhen përmes çarçafëve në shesh pushim e hyrjes së administratës.
Por tentativa e tyre ka rezultuar pa sukses. Ata tashmë do të përballen me akuzën e tentativës së largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit.
Kush është Fatmir Pjetri
Fatmir Pjetri, i njohur ndryshe me nofkën “Babagjyshi” u ekstradua në shtator të vitit 2019 nga Amsterdami/Holandë drejt vendit tonë.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”.
Përmbledhje e ngjarjeve të ndodhura:
Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (Babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.
Disa nga episodet:
Në datë 28.09.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit A. B., në Kuçovë;
Në datë 05.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit S. R., në Laç;
Në datë 25.11.2013 është vjedhur me armë argjendaria e shtetasit P. B., në Fushë-Krujë;
Në datë 24.12.2013 është vjedhur me armë argjendaria në një qendër tregtare në Tiranë.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol The Hague, u bë i mundur arrestimi i tij në Hollandë, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
Kush është Arbër Çekaj
Arbër Çekaj është dënuar me 14 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, ai është pronari “Arbën Garden”, magazinave brenda të cilave u kapën 613 kg kokainë rreth tre vite më parë. Ngarkesa e madhe e kokainës u dërgua nga Kolumbia dhe ishte e fshehur në pakot me banane.
Antidroga lejoi udhëtimin e ngarkesës deri në magazinën e kompanisë Arbri Garden që gjendej në Maminas ku dhe kreu ndërhyrjen në shkurt 2018 që solli me pas arrestimin në Gjermani dhe ekstradimin në Tiranë të Çekajt.
Teksa Çekaj ishte në burg, duket se biznesin e mbante gjallë i ati, Selim Cekaj, i cili u vu në pranga në prill të këtij viti. Në një kontejner të mbushur me banane që vinte nga Ekuadori u kapën 49 kg kokainë.
Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në disa kontenierë, u bë e mundur që në njërin prej tyre, i cili ishte i ngarkuar me banane dhe ishte nisur nga Ekuadori me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Maminas, me administrator shtetasin Selim Çekajn, të gjendej dhe sekuestrohej në cilësinë e provës materiale rreth 49 kilogramë lëndë narkotike kokainë.
Në vitin 2018, kur edhe u zbulua ngarkesa e parë dhe e konsiderueshme e fshehur në një kontejner me banane të porositur nga kompania e tyre Arberi Garden, Selim Çekaj ka përsëritur se edhe i biri është i pafajshëm.
Dosja për të moshuarin që mbas goditjes se djalit hapi një kompani tjetër për tregtinë e bananeve, u transferua nga prokuroria e Durrësit pranë SPAK.