Presidenti i Republikës e ka akuzuar gazetarin Frrok Çupi si ‘agjent i Serbisë’. Akuza është bërë nga Presidenti në foltoren e Presidencës, pak ditë më parë.

Në morinë e materialet pranë Komisionit Hetimor Parlamentar, me qëllim hetimin e Presidentit, është depozituar edhe deklarata në audio dhe video e Presidentit të Republikës ku akuzon gazetarin Çupi si ‘agjent i Serbisë’.

Mësohet se Frrok Çupi ka paraqitur, në Komisionin Hetimor Parlamentar, një kërkesë në lidhje me akuzën e Presidentit.

Çupi kërkon nga Komisioni që ‘Presidenti i Republikës të paraqesë prova mbi veprimtarinë time që sipas tij është ‘agjenturore në shërbim të Serbisë’. Por nëse nuk paraqet prova- shkruan gazetari, – atëherë ‘kërkesa ime të administrohet si një kallëzim për shpifje’ ndaj Presidentit të Republikës.

Gazetari shkruan se në këtë mënyrë ‘Presidenti i Republikës është përfshirë publikisht në sulme personale, aq më tepër kur sajon dhe shtrembëron të vërtetën’. Ai thekson se sulmi i Presidentit ndaj tij kryhet ‘për shkak të profesionit tim si gazetar’ dhe se Presidenti sulmon këdo dhe çdo opinion që nuk i vjen për shtat.

Po në këtë shkresë drejtuar Komisionit Hetimor Parlamentar, gazetari Çupi deklaron se pas sulmeve të Presidentit, ndjehet ‘i pasigurt për jetën e tij dhe të familjes’,  dhe kërkon mbrojtje nga shteti. “Tashmë nuk jam në gjendje që i vetëm të mbrohem nga njerëzit afër Metës, nga ‘nacionalistët’ e shtyrë prej tij, nga elementë të tjerë kriminalë ose të dobët mendërisht që frymëzohen lehtë nga fjalët e presidentit për vepra të dhunshme’, shkruan Frrok Çupi.