“Do të duhen të kalojnë dhe 1000 vite që të lindi një tjetër Torro Riina. Kam bërë një gjë të madhe, jam bërë mbret”, kështu shprehej gjatë orës së ajrimit në burgun e Parmës bosi i mafies Cosa Nostra, Salvatore Riina në bisedat e tij me bosin e mafies pulieze Alberto Lorusso.

Bosi i bosëv të mafias Cosa Nostra nuk mundi t’i mbijetoj dy ndërhyrjeve kirurgjikale e pas 5 ditë kome ndërroi jetë në spitalin e Parmës në orën 3.37 të mëngjesit të sotëm. Një ditë më parë Ministri italian i drejtësisë Andrea Orlando kishte autorizuar bashkëshorten e fëmijët e tij që t’i qëndronin pranë në orët e fundit të jetës. Por familjarët nuk mundën ta takonin të gjallë. Bosi i bosëve i mafies siciliane ndërroi jetë gjatë natës së shkuar pas 24 vite në burg në regjimin e sigurisë së lartë 41 bis.

Po kush ishte bosi i bosëve të mafies italiane?

Salvatore Riina lindi në Korleone të Silisë në 16 nëntor 1930, i dyti nga 6 fëmijët e Maria Concetta Rizzo e di Giovanni Riina, pronar i 3 hektarë tokë dhe i skeduar nga policia italiane “si person i aftë të shkaktonte dëme personave e pronave të të tjerëve.”

Më 11 shtator 1943 pas zbarkimit të amerikanëve në Siçili, Giovanni Riina gjen një bombë dhe e sjell në shtëpi për ta çaktivizuar. Bomba i plas në duar para 3 djemve të tij. Vdes ai e djali i vogël Francesko e djali i tretë Gaetano pëson dëme të rënda në fyt e në këmbë. Pas vdekjes së babait , 13 vjeçari Salvatore Riina bëhet kreu i familjes.

Salvatore Riina i thirrur Totto, së bashku me Bernardo Provenzano- i thirrur Binnu e Calogero Bagarella i thirrur Calo, bëhen pjesë e bandës së Luciano Liggio që vepronte për llogari të klanit mafioz të Michele Navarra. Bastisnin fusha, digjnin ara, vidhnin bagëti e shkatërronin vreshta.

Më 1949 në moshën 19 vjeçare, Toto Riina përfundon për herë të parë në burg, dënohet me 12 vite heqje lirie. Pas 6 vitesh dënimi, më 1954 fiton të drejtën e lirisë së përkohshme. Pas daljes nga burgu së bashku me Luciano Liggio eleminojnë bosin e tyre  Michele Navarra si dhe të gjithë anëtarët e klanit të tij mafioz.

Arrestohet disa herë dhe më 1969 nis arratisja ndaj drejtësisë italiane.

Më 1969 nis dhe ngritja e tij në shkallët më të larta të hierarkisë së Cosa Nostra.

Më 1969 ishte ekzekutuesi i masakrës së Viale Lazio. Më 1971 u bë ekzekutuesi material i prokurorit Pietro Scaglione. Sekuestron jo vetëm për para, por dhe për influencë territoriale djalin e industrialitit Giacomo Porcorosso, djalin e sipërmarrësit të ndërtimeve Francesco Vassallo, sekuestron ndërtuesin Luciano Cassina. Për llogari të Cosa Nostra vendos aleancë me nosin e mafias kalabreze Ndragheta, e me dy vëllezërit Nuvoletta të mafies napoletane Camorra, me të cilët nis një kontrabandë cigaresh të huaja.

 

Më 1974 bëhet kreu i klanit mafioz të Korleones, e deri më vitin 1982 eleminon fizikisht mbi 200 krerë e anëtarë të klaneve mafioze siciliane. Më 1982 krijon komisonin e ri të lartë të Cosa Nostra me besnikët e tij; Toto Riina bëhet Bosi i ri i Mafias siciliane. Roona transformon Cosa Nostran në një diktaturë. Për të qenë pjesë e komisionit të lartë nuk ka më zgjedhje por bëhen anëtarë vetëm besnikët e tij, Michele Greco, Pino Greco Scarpuzzetta, Giuseppe Giacomo “Gambino”, Francesco Madonia, Bernardo Brusca, Totò Montalto, Pippo Calò, Nenè Geraci il Vecchio, Antonino Rotolo, të cilët e ndihmuan të jetë Bosi i Bosëve të mafies siciliane.

Më 23 maj 1992 Totto është urdhëruesi i masakrës së Carpacit ku humb jetën gjykatësi Giovanni Falcone e bashkëshortja e tij Francesca Morvillo së bashku me truprojat Vito Schifani, Rocco Di Cillo, Antonio Montinaro. Më 19 korrik 1995 organizon atentatin kundër gjykatësit Paolo Borsellino, makina e të cilit u hodh në erë duke i shkaktuar vdekjen së bashku me agjentët e policisë Agostino Catalano, Vicenzo Li Muli, Claudio Traina, Emanuele Loi, Eddie Ëalter Cusina.

Salvatore Riina arrestohet më 15 janar 1993 në vilën e tij në rrugën Bernini n. 54, në Palermo falë deklaratave të ish shoferit të tij personal Baldassare di Maffio, që vendos të bashkëpunojë me Drejtësinë italiane për t’i shpëtuar dënimit me vdekje vendosur nga Cosa Nostra.

Mafiozët e penduar e bashkëpunëtorë me drejtësinë italiane kanë konfirmuar në rrëfimet e tyre lidhjet e Toto Riinas me personalitet të fuqishme në politikën italiane mes të cilëve dhe ish kryeministri Giulio Andreotti.

Dhe pse në burg drejtësia italiane ishte e bindur se ai vazhdonte të ishte kreu i Mafias siciliane e të jepte udhëzime.

Salvatore Riina ishte i martuar me Antonietta Bagarella dhe baba i 4 fëmijëve; Maria Concetta, Giuseppe Salvatore, Giovanni Francesco e Lucia. Goivanni Francesko është dënuar me 4 dënime të përjetshme për 4 vrasje të kryera më 1985.