Më në fund shënohet ajo çfarë nuk pritej tani për tani në Spanjë: Një parti e ekstremit të djathtë ka fituar 12 vende në parlament, në zgjedhjet rajonale në Andaluzi.

Partia Vox hyri në zgjedhje me zotimin se do të nxirrte të paktën pesë deputetë, por shkoi më shumë se dyfishi i shpresave parazgjedhore.

“Deputetët e Vox mund të rezultojnë decizivë në rezultatin përfundimtar në Andaluzi, nëse do të marrin pjesë në ndonjë koalicion”, raporton BBC.

Teksa ka dominuar në Andaluzi në 36 vjetët e fundit, Partia Socialiste u rendit sërish e para, por pa patur mundësinë të qeverisë e vetme.

Edhe partia më e madhe në opozitë, Partia Konservatore, ruajti vendin e dytë, ndonëse me rënie në këto zgjedhje.

Nëse partia Konservatore do të krijojë koalicion me partinë Vox dhe partinë e qendrës së djathtë Cuidadanos (Qytetarët), ekziston mundësia që partia socialiste të kalojë në opozitë për herë të parë në katër dekadat e fundit.

Partia Vox zhvilloi një fushatë duke vënë në qendër të goditjes imigracionin në Spanjë.

Fitorja e saj është tjetër sinjal për një valë konservatorizmi e nacionalizmi që ka përfshirë Europën.

Analistët thonë se humbja e terrenit në Andaluzi do të sjellë probleme të mëdha për qeverinë e kryeministrit Pedro Sanchez.

Veritas.com.al/