Një analizë e revistës “Politico” hedh dritë mbi situatën politike në Gjermani, pak kohë pasi edhe shteti më i fuqishëm i botës, Amerika, me fitoren e Donald Trumpit dëshmoi se votuesit janë lodhur nga politikanët që janë “brenda kornizave”.

Pesë ditë pas triumfit të Donald Trump, në Gjermani, partia e qendrës së djathtë “AfD” festoi së bashku me mbështetësit e saj, pasi morën sinjalin se në fund të tunelit ka dritë edhe për ta.  Zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm pritet të jenë një dëshmues i qartë i situatës politike në Europë. Forca e “AfD”-së, e cila nuk lindi me qëllimin për të qenë një lëvizje nacionaliste, duket se e fitoi me kalimin e kohës këtë ndjenjë, të cilën tani e përdor si armën e saj më të fuqishme.

Fushatat e partisë të kujtojnë mitingjet elektorale të Donald Trumpit, i cili përtej oqeanit brohoriste sloganin “Amerika është e para”.  Edhe “AfD” kërkon të vendosë interesat e Gjermanisë para së gjithash, trumpeton për mbrojtjen e kufijve, nuk është dakord me politikën e dyerve të hapura ndaj refugjatëve dhe është kthyer në zërin kryesor kritik të Merkelit.

Reputacioni i kësaj të fundit nuk dihet sesa do të zgjasë, në një kohë kur politikat e saj duket se po i kthehen në “boomerang”. “New York Times” e ka cilësuar kancelaren si “liberalisten e fundit të Perëndimit”. Sipas statistikave, shumica e votuesve të “AfD”-së janë të shkolluar dhe dikur mbështetës të thekur të Merkelit. Dhe të gjithë ata kanë diçka të përbashkët. Ata janë të lodhur së kërkuari falje për historinë e kombit të tyre. Ata thonë se nuk mund të duan Gjermaninë me të mirat dhe të këqijat e saj, pasi nëse e bëjnë konsiderohen nazistë.

Tani, partia “AfD” është gati për një rezultat historik në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Sulmi terrorist që vrau 12 njerëz në tregun e Krishtlindjes në Berlin të hënën, pritet të forcojë pozitat e “AfD”-së edhe më shumë.

/Veritas.com.al/