Znj. VanHorn e uroi Kryetaren Spiropali me rastin e zgjedhjes Kryetare e Kuvendit dhe shprehu gadishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis Kuvendit dhe Ambasadës së ShBA, për mbështetjen e zhvillimit, demokratizimit, konsolidimit të institucioneve dhe integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.

Kryetarja Spiropali uroi të Ngarkuarën me Punë, znj. VanHorn, për misionin e saj në Shqipëri dhe e njohu me disa nga prioritetet e punës së Kuvendit dhe të sesionit të ri parlamentar. Kryetarja Spiropali nënvizoi se në detyrën e Kryetares së Kuvendit do të udhëhiqet nga Kushtetuta, ligjet, përpjekjet maksimale për konsensus, racionalitet, konstruktivitet dhe transparencë, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha grupet parlamentare dhe opozitën.

Kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, dhe e Ngarkuara me Punë, znj. Nancy VanHorn diskutuan edhe mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve amerikane në Shqipëri, rolin e Kuvendit në thellimin e reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe forcimin e shtetit të së drejtës, avancimin e procesit të anëtarësimit në BE, fuqizimin e institucioneve të pavarura, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe qytetarët.