Poeti dhe publicisti i njohur Arben Duka është ndarë nga jeta sot në mëngjes në moshën 64 vjeçare.
Lajmin e trishtë e konfirmoi për DITA, bashkëshortja e Arbenit, Pranvera.
Kolegu ynë pësoi mbrëmë një atak kardiak, ndërkohë që po vuante prej disa kohësh nga probleme në mushkëri dhe një infeksion.
Pas një nate të vështirë në spital, nuk mundi t’ia dilte.
Shumë i dashur për lexuesit e Ditës ku ka punuar që nga themelimi i gazetës, Arben Duka do mbetet përherë në kujtesën tonë si poeti antikonformist i satirës politike por edhe i lirikës dhe dashurisë.
Ai është autor i mbi 3 mijë këngëve, një rekord më vete në fushën e krijimtarisë dhe fitues i shumë çmimeve në Festivalet e RTSH. Me edukim ushtarak (ka mbaruar Akademinë Ushtarake) Duka është gjithashtu, autor i tekstit të Himnit të Policisë së Shtetit.
I lindur në Labovë në 5 dhjetor 1957, ai ishte “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”.
Një ceremoni do mbahet nesër nga ora 10.00 deri në 12.00 në ambjentet e Muzeut në Tiranë. Më pas do bëhet përcjellja e të ndjerit për në banesën e fundit.
Botuesi dhe Redaksia i shprehin Pranverës, fëmijëve, të afërmve dhe miqve të shumtë, ngushëllimet më të përzemërta.