Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduart Selami ka denoncuar parregullsi, që sipas tij, janë shfaqur në zgjedhjet e sotme për kreun e PD-së.

Ai tha se kryetarë të degëve kanë bërë presione, duke u kërkuar anëtarëve të PD-së të votojmë kundërshtarin e tij, Bashën.

“Këto zgjedhje pavarësisht se janë një hap në drejtimin e duhur kanë qenë dhe kanë filluar të pabarabarta. Kryetarë të degëve të PD kanë bërë presione dhe i kanë kërkuar anëtarëve që të votojnë për Bashën. Po kështu në mjaft nga këto qendra votimi fotografia e zotit Basha është e varur në qendrën e votimit”- tha zoti Selami.

Ai shtoi se ka pasur raste të mungesës në listë të anëtarëve të PD-së që kanë shprehur më herët votën për kundërshtarin e Bashës.

“Po kështu ka pasur raste të mungesës së emrit në listë, seksione të tëra që nuk kanë qenë të regjistruar dhe kanë shprehur votën për mua”, tha Selami.

Deklarata e Selamit erdhi dy orë para përfundimit të orarit zyrtar të zgjedhjeve për kryetar të Partisë Demokratike.

Veritas.com.al/