(FOTO: Donald Trump- president i zgjedhur i SHBA)

 

Ekipi tranzitor i presidentit të zgjedhur  Trump,  po diskuton mbi “vërtetësinë” e zbulimeve të fundit të CIA-s që u publikuan të premten nga administrata Obama, ku flitej se Rusia ishte munduar të ndikonte në zgjedhje presidenciale për kandidatin republikan.

Ka “njerëz në këtë agjenci që janë mërzitur me rezultatin e zgjedhjeve”,- tha zëdhënësi Sean Spicer të shtunën, duke vënë në dyshim edhe cilësinë e informacionit dhe motivin pas tij, sipas Associated Press.

Pas këtyre “deklaratave janë njerëz që thonin se Sadam Hyseini kishte armë të shkatërrimit në masë”, shprehet ekipi i Trump në një deklaratë të lëshuar të premten në darkë.

Një zyrtar i administratës, i cili ka kërkuar të mbetet anonim, tha për Associated Press, se CIA kishte “besim të madh” se Moska kishte në mend të ndihmonte kandidatin Donald Trump në fushatë duke nxjerrë mesazhe elektronike të marra në mënyrë të paligjshme nga pjesëtarët të Partisë Demokratike dhe kryesisht ato në lidhje me Hillary Clinton dhe John Podesta-n. Mesazhet e postuara në internet nga Wikileaks tregojnë për përpjekjet e Komitetit Nacional Demokrat për t’u siguruar që Clinton të mundte Bernie Sanders-in në primaret dhe për sigurimin e mbështetjes së medias në fushatën e Hillary-t. Burime anonime deklarojnë se Komiteti Nacional Republikan ka rënë pre e vjedhjes së mesazheve elektronike nga rusët dhe ata nuk i kanë bërë publike.

Spicer-i mohoi se sistemi i tyre kompjuterik ishte cenuar në mënyrë të jashtëligjshme gjatë zgjedhjeve, duke theksuar se zyrtarët e partisë kanë punuar me agjencitë e inteligjencës për të mbajtur sa më lart nivelet e sigurisë dhe tha “me siguri” se kompjuterët e tyre nuk janë ngacmuar.

Lajmet nga vlerësimet e CIA-s në lidhje me ndërhyrjen ruse i ka bërë energjikë demokratët që janë munduar të kthejnë përmbys rezultatet në Miçigan, Pensilvani dhe Wiskonsin, gjithashtu edhe të bëjnë një fushatë që u bën presion zgjedhësve të kolegjit republikan. Aktivistët kanë folur gjithashtu edhe me prokurorët e këtyre shteteve duke kërkuar që zgjedhësit mos të kenë të drejtën e ushtrimit të votës deri sa hetimet për ndërhyrjen ruse në fushatën e Hillary-t të kenë përfunduar.

Kolegji elektoral do të votojë më 19 dhjetor.

Një rast i tillë i vitit 1995 në Pensilvani citohet nga Huffington Post si një bazë e mundshme e zëvendësimit të Trump nga Clinton, edhe pasi ai të jetë betuar.

Për këtë çështje, Gjykata Supreme Amerikane ka refuzuar të dëgjojë çështjet e gjykatave më të ulëta, duke lënë në fuqi vendimet e gjykatësve federalë që kanë shfuqizuar zgjedhjet për senat në Pensilvani pas një mashtrimi të madh që u zbulua më pas, duke urdhëruar më pas që fituesi të tërhiqej dhe kundërshtari të merrte postin.

Dy zyrtarët e zgjedhur që kanë dëshmuar për çështjen thanë se ata kanë qenë të ndërgjegjshëm për mashtrimin dhe nuk kishin ndërhyrë, por në fakt certifikuan fituesin shumë shpejt. Huffington Post bën paralelizëm me këto rrethana duke cituar “Washington Post” se drejtuesi i maxhorancës në senat Mitch Mçonnell e dinte për deklaratat e CIA-s për ndërhyrjen ruse dhe zgjodhi mos të bënte asgjë.

Senatori Chuck Schumet i Nju Jorkut, tha se ai do ta çojë më tej hetimin për ndërhyrjet e huaja në zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara. Të dy senatorët, John Mc Cain i Arizonës dhe Lindsey Graham nga Karolina e Jugut kanë shprehur mbështetjen e tyre. Presidenti Obama , gjithashtu, ka urdhëruar një hetim që duhet të përfundojë para se ai të lërë zyrën.

“Kjo nuk është një përpjekje për të sfiduar rezultatin e zgjedhjeve”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Schultz.

Kremlini ka mohuar që të ketë pasur ndonjë ndërhyrje në zgjedhjes në Amerikë.

/Veritas.com.al/