Finalizohet ekstradimi i parë nga Dubai drejt Shqipërisë. Gazetari Ervin Leka raporton se Bruno Çobo, i cili akuzohet nga SPAK se në bashkëpunim me 16 persona të tjerë kanë mashtruar mijëra qytetarë italianë duke përfituar miliona euro, ka mbërritur në aeroportin e Rinasit, nën masa të rrepta sigurie.
Çobo akuzohet për mashtrim kompjuterik dhe grup të strukturual kriminal, pasi në bashkëpunim me të tjerë, mashtronte nëpërmjet call centerave italianë dhe shtetas të kombësive të tjera, duke u marrë miliona euro. Çobo dyshohet se ishte organizatori i grupit të 16 personave që punon në call center.
Ka qenë një shtetas italian, i cili në vitin 2020, ka denoncuar se është mashtruar nga një investim prej 700 mijë eurosh në kompaninë e tij. Ndonëse vendi ynë nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Dubain, gazetari tha se për Çobon është bërë ekstradim nëpërmjet deportimit, ku në lojë ka hyrë edhe Interpol.
Kanë qenë bashkëpunimi dhe marrëveshjet e ministrit të Brendshëm, Taulant Balla me homologët në Dubai që i kanë dhënë dritën jeshile ekstradimit të personave që kërkohen nga drejtësia në Shqipëri dhe fshiheshin prej kohësh atje.
Kjo është hera e parë që në vendin tonë ekstradohet një person i shumë kërkuar e që fshihej në Dubai. Ndërkohë pritet që në vijim të ekstradohen edhe personazhe të tjera të botës së krimit. Ekstradimet janë paralajmëruar edhe më herët nga ministri Balla për t’i dhënë fund arratisjes së personave që kërkohen për krime të rënda dhe fshiheshin në Dubai.