Ekzekutohet me armë zjarri Edmond Koçi, ish-anëtar i bandës së Durrësit, i njohur ndryshe si “Mond Çekiçi. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:40, në lagjen nr.16, Durrës, pranë Drejtorisë Arsimore.

Mësohet se autorët kanë qenë të pamaskuar dhe janë parë nga shoferi i 43-vjeçarit. Mësohet se “Mond Çekiçi”, po udhëtonte me mjetin e tij, kur një makinë i ka ndërprerë rrugën. Në këto momente ka dalë shoferi i 43-vjeçarit për t’u sqaruar se çfarë kishte ndodhur dhe më pas një person nga mjeti tjetër ka qëlluar me breshëri në drejtim të “Mond Çekiçit”. Pak kilometra nga vendi i ngjarjes, në fshatin Sukth është gjetur një makinë e djegur, e cila dyshohet se i përkiste autorëve. Nga sa raportohet, kjo makinë kishte targa të vjedhura në Tiranë si edhe kallashnikovi. Pista kryesore e hetimeve është e kaluara e 43-vjeçarit.

Mond Çekiçi ishte shoku i ngushtë i Edmir Bregut, nga Kukësi, i cili gjithashtu është  ekzekutuar me breshëri kallashnikovi më 24 janar 2021. Viktima Edmir Bregut gjithashtu kishte dy emra ku njihej edhe si Ilir Kuçi, ndërsa vrasja e tyre ka ndodhur në të njëjtën zonë.

Bregu u ekzekutua me breshëri automatiku teksa po lëvizte me një makinë tip “Porsche Cayene” dhe po brenda makinës u ekzekutua sot edhe Mond Çekiçi.

Burimet shprehen se dhe vrasja e Mond Çekiçit është në vijimësi të vrasjes së shokut të tij të ngushtë Edmir Bregu. Pistat me të cilat policia po heton vrasjen e Bregut është prishja e pazareve të drogës.

Janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore  në hyrje e në dalje të Durrësit  si dhe në drejtim të Tiranës e Kavajës për kapjen e autorëve që ekzekutuan Mond Çekiçin.

Kush është Edmond Koçi, i njohur ndryshe si Mond Çekiçi?

“Mond Çekiçi”, konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezultonte të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë.  Në muajin maj 2009 Edmond Koçi, u dënua me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.

Në një raport të ministrisë së brendshme të botuar në vitin 2016 në gazetën “Shqiptarja.com” thuhej se “Mond Çekiçi”, është pjesë shoqërore me Lulzim Berisha “Luli”, Emiljano Shullazi “Mili”, Plarent Dervishaj “Lenti”, Marjel Fierza, Julian Meçaj, Bashkim Haxhiaj dhe persona të tjerë.