Frrok Çupi
Elsën e ‘dogjën’ në Romë. Gazeta italiane ‘La Republica’, në datë 16 mars të vitit, njoftoi se ‘EIlsa Lila, këngëtare, u arrestua bashkë e 13 të tjerë italianë e shqiptarë’. Metaforën ‘e dogjën’, e mora nga i njëjti fenomen dhe ngjarje me kolosët e artit shqiptarë, në dy kohë, në dy kryeqytete dhe në dy kontinente.
Ngjarja e parë kishte ndodhur në Bejrut, në vitin 1975, kryeqytet i Libanit ku për 9 vjet (1883-1892), guvernator i qytetit kishte qenë një shqiptar, Pashko Vasa. Atë vit aty ishte ndezur lufta civile më e madhja e bot që e çoi qytetin në zero. Bash në kulmin e luftës, një gazetar shqiptar, korrespondent lufte, Nehat Islami, u ndesh me një ngjarje që të lë pa fjalë. Gazetari shkruan se Libraria ‘Antuan’ në rrugën kryesore të Bejrutit, u godit nga disa predha dhe të tërën e kaploi flaka. “Duke kaluar andej, pashë shumë libra të djegur që i kishin hedhur në trotuare porsi kufoma që shihnim çdo ditë. Shikimi mu ndal te ‘Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur’, botim parizien; librit i ishte djegur gjysma e mbulesës, kurse brenda ishte i paprekur.
-Zoti Antuan, a mund ta blej këtë libër?- iu drejtova pronarit.
-Nuk janë për shitje, por për hedhje. A s’po shihni çka na bënë?- mu përgjigj i zoti i pikëlluar si t’i kishin vdekur familjarë.
-Do ta marr këtë sepse është imi- i thashë.
Pasi e shikoi titullin, mu përgjigj:
Libri është si njeriu. Të ndihmon t’i ruash mendtë e kresë. Merre, shpëtoje!
Atë libër e ruaj edhe sot e kësaj dite, shkruan gazetari, korrespondent lufte.
… Që ditën e parë, 16 mars, kur artisten shqiptare Elsa Lila e dogjën në Romë, nuk iu gjend njeri pranë; madje nuk e lanë as në trotuar. Më vjen hidhët të them se që nga larg, edhe që nga Tirana, e shtynë ‘librin Elsa’ drejt zjarrit. Titujt e gazetave e televizioneve në shqip, jo veç në italisht, e hapen gojën sa mundën si të ishin zgjuar nga një gjumë i thellë dhe po shijonin shijen e mirë të një ‘ushqimi të bollshëm’ për lajme me Elsën. “Arrestohet këngëtarja Elsa Lila, pjesë e grupit që shpërndante kokainë!”. “Nga Elsa Lila te “Mamaja”, kush janë këngëtarët e arrestuar për drogë!’. “Policia italiane shkatërroi një organizatë kriminale!”. “Këngëtarja ishte pjesë e një bande të trafikut të drogës”. “Elsa Lila, ‘financierja’ e një bande droge në Itali!”. Këta ishin vetëm disa tituj shpërthyes… E sa mijëra të tjerë shanë e shfrynë në rrjetet sociale.
Më duhet të them se pikërisht dje, në datë 26 maj, Gjykata e Romës e shpalli krejt të pafajshme Elsa Lilën- viktimë e paragjykimeve raciste në shtetin matanë Adriatikut, e cila u arrestua pa asnjë provë. Që dje, Elsa i është kthyer asaj pike ku e la mbrëmjen kur e hodhën si librin e djegur në trotuar; i është kthyer muzikës së viteve 1700 të Pergolesit dhe Stabat Mater, histori që u shndërrua në projektin e jetës së kësaj artisteje.
Por çështja rri diku tjetër, te raporti i individit me artistin, me ‘atë të adhuruarin’ që ose ‘bën hije’, ose duhet eliminuar për shkak të dashurisë…
Ja kështu është sulmi ndaj Elsa Lilës.
1.
Sulmi është i llojit të marrëdhënies së sulmuesit mes vetes dhe Elsës. Atë orë që njeriu këtu e mori vesh çfarë ndodhi në Romë, atë orë iu bë se u ngarkua me barrën e fajit. Që prej viteve të hershme, njeriu këtu e ka zgjedhur Elsën si të zgjedhurën e vet. Njeriu këtu e ka një hulli të tillë, që pasi e zgjedh tjetrin, i vë kapakun e nuk mendon më ndryshe. Në këtë rast njeriu këtu turfulloi kundër Elsës që ‘e kishte zgjedhur’. Iu bë se nuk paskësh zgjedhur personin e duhur. Vetë njeriut i ndodh që i duket sikur zgjedh lirshëm, por në fakt zgjedhja del shumë më pak e lirë se sa çfarë ishte imagjinuar. Elsa e vuajti psikologjinë e ‘të rënit në dashuri’ prej njeriut të një tipi të veçantë.
E lanë në rrugë.
2.
Këtu njeriu kalon përgjatë brazdave të formuara në fëmijëri, ose në një kohë të hershme. ‘Idhulli’, sipas brazdave të hershme, nuk ka të drejtë të gabojë, edhe pse ‘idhullori’ ka të drejtë me metra për gabime. A nuk keni parë që njerëzit flasin e vendosin sinorë: ‘Mirë Kadare si shkrimtar, po si njeri?!… Çfarë defektesh kishte Nënë Tereza?…”
Por bota është kjo, dashuria mund të ndërthuret edhe me aspekte të dhimbshme. Njeriu këtu, nga fëmijëria kujton se ‘idhulli’ nuk bën asnjë gabim; dhe prandaj as lëviz për t’iu ndodhur pranë kur gabon.
Megjithëse Elsa nuk paska gabuar; njeriu ‘idhullor’ i saj gaboi dyfish: Edhe kur mendoi Elsën si atëherë në fëmijëri, edhe kur e braktisi.
3.
Ne edhe pse bëjmë si ‘patriotë të mëdhenj’ i ikim njeriut tonë që gabon; menjëherë e ndajmë gjakun me të. Po t’i pyesje njerëzit pas 16 marsit, ishin gati të thonin se Elsa ‘nuk është ndonjë artiste kushedi çfarë’, se ‘ç’ne shqiptare, ajo u rrit në Itali, italiane thuaj!’… Këta kërkojnë rrënjët shqiptare të Albano Carrizit, të Robert De Niros, edhe të GAribaldit po deshe…, por Elsa nuk është më e jona. Bullshits sa të duash. E pse? Sepse njeriun e madh e mendojmë si një rrap që na bën hije, ‘sa herë tundet rrapi, fajin e kemi ne!’.
Këtu njerëzit deshën t’i largohen ‘krimit’ të Elsës, dhe prandaj e sulmuan. Njerëzit këtu, edhe pse trafikojnë drogë apo fusin duart në xhepat e njëri tjetrit, arratisën nga Elsa sepse u bëhet sikur arratisen nga vetja…
Njerëzit janë më shumë reaktivë, sidomos ndaj artistit. Me të fortët nuk ua mban të jenë reaktivë.
… Elsa Lila tani po merret me projektin e saj, muzikën e viteve 1700. Ky është lajmi; por askush nuk e publikon, sepse nuk tërheq lexues.