Kryetari i Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi del sot para gjykatës për vlerësimin e masë së sigurisë. Ai u arrestua më 13 qershor me kërkesë të prokurorisë dhe vendim të gjykatës së Tiranës pasi kishte fshehur një dënim në Itali në formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin. Ai akuzohet për falsifikim të vulave, stampave dhe formularëve” dhe rrezikon të dënohet nga 6 muaj në 4 vjet burg. Avokatët e tij kanë bërë të ditur se do të gjejnë rrugët ligjore për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese ligjin për dekriminalizimin. Rroshi akuzohet gjithashtu se ka fshehur disa dëbime në Itali e Zvicër. Sipas Interpol ai kishte mbajtur 5 emra të ndryshëm në disa vende të Europës. Ndërsa një dokument tjetër i Interpol zbulon se nën emrin Enver Rroshi, ai ishte hetuar edhe nga DEA amerikane për trafik droge dhe pastrim parash në Zvicër. Pavarësisht këtyre të dhënave dhe publikimit të vendimeve që ai ka qenë i dënuar, Rroshi vazhdon të qëndrojë në detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Kavajës. Disa javë më parë kryeministri Rama firmosi shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Dibrës, Shukri Xhelili, pasi një video u publikua në media, ku ai shfaqej duke i kërkuar favore seksuale një vajze 20 -vjeçare në këmbim të një vendi pune. Elvis Rroshi dha edhe dorëheqjen si kryetari i Bashkisë së Kavajës kur u bë publik dënimi i tij në Itali, por tre ditë më vonë deklaroi se rikthehej në detyrë, pasi kishte marrë një dëshmi penaliteti në Itali, sipas të cilës ai rezultonte i pastër. /Sipas Lapsi.al