Alarmë është ngritur nga kreu i Emergjencave Civile të republikës, Shemsi Prençi, i cili tha në një konferencë për shtyp se vendi rrezikon tërmete pas thatësirës se madhe qe ka prekur vendin.

“Duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme, kanë nisur lëkundjet e para në rajonin e Elbasanit, kryesisht në Qukës”.

Nuk dihet nga është marrë informacioni, por institucioni kryesor shtetëror i emergjencave ka bërë thirrje për ‘kujdes maksimal’ ndaj tërmeteve që ‘priten’.

“Pas një vere të nxehtë lind një problem i rrezikshëm së pari do të kemi parasysh që periudha e përsëritjeve të tërmeteve është me kohë dhe limite të përcaktuara. Duke llogaritur tërmetet e vitit 67 në periudhën e kthimit një herë në 50 vite, ne përkojmë me rrezikshmërinë e lartë të tërmeteve në Shqipëri në të dy korridoret Elbasan, Tiranë, Shkodër, Dibër , Korcë etj”, tha Prençi.

Nga deklarata e mëspiërme duket se zoti Prençi më shumë flet si një Nostradamus se sa si një zyrtar i mirë-informuar shkencërisht; por sidoqoftë alarmet nuk duhen neglizhuar asnjë herë.

Sipas tij “Ne duhet të jemi të kujdesshëm në raport me situatat e pritshme, kanë nisur lëkundjet e para në rajonin e Elbasanit, kryesisht në Qukës. Do t’i lutemi Zotit të mos ketë pasoja por ne duhet të jemi të përgatitur sepse ekziston rreziku i tërmeteve në 2017 dhe në fillim të 2018 siç parashikohet dhe nga Gjeoshkenca”.

Në 30 nëntor 1967 u përshi nga tërmetet zona Dibër-Librazhd, duke shkatërruar 177 fshatra, ku gjetën vdekjen 12 veta dhe 174 të tjerë u plagosen. Karakteristike e këtij tërmeti është hapja e tokës me gjatësi mbi 10 kilometra e zhvendosja vertikale e dheut deri në 50 centimetra.

Veritas.com.al.