Ermal Meta, këngëtari shqiptar me famë ndërkombëtare në Itali, ka zgjedhur që koncertin e tij të parë pas pandemisë, ta mbajë në 26 korrik në stadiumin “Air Albania” në Tiranë. Lajmin e shumëpritur për të gjithë e dha përmes një bisede online me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vetë artisti kaq i dashur në dy anët e Adriatikut.
“Koncerti është në datën 26 Korrik. Është koncerti i parë që do bëj për këtë vit, por edhe pas pandemisë. Do e bëj në stadiumin e Tiranës me ndihmën tuaj dhe me falënderime nga ana ime,” u shpreh ndër të tjera Ermal Meta.
Kryebashkiaku Veliaj e ka quajtur një lajm fantastik për kryeqytetin, ndërsa veçoi si mjaft të rëndësishëm faktin se kjo do të jetë hapja më e bukur e stinës së koncerteve edhe për Arenën Kombëtare, që nuk ka mundur ende për shkak të pandemisë globale të organizojë evente artistike të përmasave të tilla. Kreu i Bashkisë, i cili këtë videocall e ndau edhe me ambasadorin italian në Tiranë, Fabrizio Bucci, nuk la pa përmendur edhe 30-vjetorin e eksodit të shqiptarëve në Itali.
“Do jetë koncerti i parë në stadium. Jam shumë i lumtur që e hapim stinën e koncerteve, por jam i sigurt që edhe Fabrizio është shumë i lumtur, sepse kanë kaluar plot 30 vjet nga eksodi, momenti ku shumë shqiptarë lanë vendin e tyre për të filluar një jetë të re në Itali, në kushte jashtëzakonisht të vështira, disa me anije, disa me gomone dhe ti je një histori suksesi i atij eksodi,” iu drejtua Veliaj këngëtarit Meta.
Ambasadori Bucci u shpreh se nisja e turit të koncerteve të Ermal Metës ka surprizuar jo vetëm shqiptarët, por edhe italianët të cilët e kanë mirëpritur lajmin.
“Këtu u “çmendën” të gjithë, italianë e shqiptarë. Të gjithë mezi po e presim,” u shpreh diplomati italian.
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj nënvizoi se ky koncert do jetë falas për të gjithë.
“Do hapim një faqe ku njerëzit mund të rezervojnë biletën fizikisht, por vetëm për të rezervuar vendin, pasi na duhet të respektojmë rregullat anticovid. Koncerti do të jetë falas, falë bashkëpunimit edhe me Ambasadën e Italisë në Tiranë dhe Federatën Shqiptare të Futbollit,” deklaroi Veliaj.
“Eksperienca ime me koncertet në Shqipëri ka qenë perfekte. E di që çdo gjë është në duar të sigurta, kështu që mezi pres,” e mbylli bisedën e tij Ermal Meta.
VERITAS.COM.AL