Policia e Shtetit dhe SPAK kanë zbarkuar për kontrolle në banesat e të shumëkërkuarit Ervis Martinajt.

Kontrollet vijnë në kuadër të operacionit të SPAK ku u arrestuan policë, anëtari i bandës së Bajrave, prokurorë, biznesmen, ish komisar dhe Specialisti i Drejtorisë së Krimeve në Volum.

Ende nuk dihet se çfarë kanë zbuluar në banesat e tij dhe se pse janë kryer këto kontrolle.

Më 11 gusht 2022, mbreti i lojërave të fatit, Ervis Martianj u zhduk në mënyrë misterioze. Ishte familja e tij që alarmoi policinë e Laçit, pasi kishte humbur kontaktet me 40-vjeçarin, i shumëkërkuar nga policia.

Që prej asaj dite, askush nuk di asgjë për fatin misterioz të Martinajt. Ka dyshime se ai është vrarë nga kundërshtarët dhe i është zhdukur trupi.

Kur u pa për herë të fundit Vis Martinaj?

Ervis Martianj, për herë të fundit, publikisht në qytetin e Laçit është parë më 18 korrik, datë kjo kur iu dha lamtumira e fundit tre viktimave që u vranë në Fushë Krujë, (kushëririt të tij )Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Diklen Vata.

Makina “Toyota Land Cruiser” i blinduar, me të cilin lëvizte Ervis Martinaj, ka shoqëruar të gjithë vijimin drejt banesës së fundit të tre të vrarëve.

Kujtojmë se me makinën “Toyota Land Cruiser” lëvizte edhe Ylli Ibrahimi, i cili njihet si krahu i djathtë i Vis Martinajt bashkë me Klisman Preçin.

Klisman Preçi ishte viktima e radhës e atentateve që po marrin jetë njerëzish në aksin Fushë Krujë-Laç-Lezhë. Bashkë me të ishte dhe Ylli Ibrahimi, por ky i fundit mundi t’i shpëtojë atentatit duke qenë jashtë rrezikut për jetën në spital.

Ervis Martinaj, është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje.

Martinaj ka qenë pronar i disa pikave të basteve dhe kazinove dhe është përmendur në 2016 për ngjarje të rënda kriminale.  Gjatë kontrollit në magazinën e tij në Fushë-Kuqe u gjetën dy skafandra të ngjashme me ato që përdorën vrasësit e bankierit, por ai nuk u implikua në këtë rast, sepse nuk kishte prova.

Po ashtu Martinaj ishte i përfshirë në vrasjen e ndodhur në Bllok. Emri i Ervis Martinajt, doli në skenë edhe pas dëshmisë së vrasësit me pagesë Nuredin Dumani.