(Zëvendës/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar)

Zëvendës/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, përmes video-lidhjes në samitin e Ohrit të “Open Balkan” u shpreh se ShBA mbështet plotësisht Ballkanin e Hapur si platformë për bashkëpunim dhe lidhje ekonomike të rajonit.

Por, se një nismë e tillë për të qenë e plotë, “ShBA beson se aty duhet të jenë të përfshira të gjitha gjashtë shtetet e rajonit në nivel të njëjtë”, tha Escobar.

Gabriel Escobar theksoi se Shtetet e Bashkuara e shohin Ballkanin Perëndimor jo për nga prizmi i problemeve të viteve të nëntëdhjeta, por të shekullit XXI, dhe drejt ndërtimit të së ardhmes.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës që ka rritjen më të madhe. Ne do të ballafaqohemi bashkërisht e do t’ia dalim. ShBA përkrah Ballkanin e Hapur”, tha zv/ndihmës sekretari amerikan.

Open Balkan është vetëm njëra nga iniciativat e mira të rajonit, tha Escobar, dhe se ShBA mbështet të gjitha nismat që kanë për qëllim lehtësimin dhe bërjen më të mirë të jetës së qytetatërve të rajonit.

“Ballkani i Hapur duhet të jetë i hapur për të gjithë, dhe secila iniciativë duhet t’i përfshijë të gjitha gjashtë shtetet në nivel të njëjtë”, u shpreh ai.

Escobar mes tjerash tha se “shpreson” që nisma e Ballkanit të Hapur të bëhet edhe më e qartë se si do të funksionojë në ardhmëri.

Gjithashtu tha ai, “duhet të shihet gjithashtu plani për zhvillim institucional”.