Numërimi për ndeshjen Shqipëri-Kroaci tani ka nisur. Zemrat e gjithë shqiptarëve nga Dortmundi tani janë zhvendosur në Hamburg. Të gjithë presin që ashtu si në takimin e parë, stadiumi të vishet me ngjyrat kuqezi.
Përfaqësuesja shqiptare ka mbyllur përgatitjet dhe duket se është gati për ndeshjen e dytë, në grupin e ferrit. Të drejtuar nga trajneri Sylvinho, kuqezinjtë kanë zhvilluar seancën e fundit stërvitore dhe siç raportohet, grupi ndaj kroatëve do të jetë i plotë pasi të gjithë lojtarët janë në formën e tyre optimale.
Fati deshi që për hërë të parë këto dy kombëtare të përballeshin në kuadër të fazës së grupeve në Kampionatin Europian dhe në një ndeshje shumë delikate. Ndeshja e të mërkurës merr rëndësinë maksimale nga të dyja skuadrat, pasi secila prej tyre e konsideron një përballje jetë apo vdekje për kalimin më tej.
Të dyja ekipet u mundën në ndeshjen e parë, Shqipëria nga Italia, dhe Kroacia nga Spanja. Me një tjetër disfatë mund t’i zbehë dhe më shumë shanset. Madje, për kroatët vështirësia është dhe më e madhe pasi përveç pikëve kanë dhe golavarazhin, një disavantazh pas 3 golave të pësuar nga gjigandët spanjoll në takimin e parë në grup.
Gjithçka mbetet për t’u parë dhe shijuar, diçka është e sigurt: të dyja kombëtaret do të japin zemrën për të marrë maksimumin. Dueli luhet të mërkurën, në orën 15:00.