Shefi i diplomacisë evropiane, Antonio Tajani u kërkoi shteteve të tjera anëtare që të përshpejtojnë anetarësimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në BE.
“Mali i Zi është padyshim vendi që është gati për t’u anëtarësuar në BE se bashku me Shqipërinë. Kjo nuk do të thotë se të tjerët duhen përjashtuar, por, sipas mendimit tim, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë bërë disa hapa më shumë përpara. Kemi një lidhje të fortë historike me Malin e Zi, ashtu siç kemi edhe me Shqipërinë, prandaj besoj se për Italinë duhet të mbetet prioritet arritja e një anëtarësimi të shpejtë të këtyre shteteve, duke koordinuar afatet kohore. Dikush përmendi vitin 2030, por unë besoj se edhe viti 2028 është një afat mjaft i largët. Kështu që do të bëjmë gjithçka për t’i mbështetur vendet kandidate me ndihmën dhe përvojën, si dhe me praninë tonë në Bruksel, në mënyrë që këto vende të mund të jenë sa më shpejt pjesë e Bashkimit tonë Evropian”, tha ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani.
“Besoj se më vonë do të duhet të përqendrohemi te Ukraina, por nuk duhet të bëjmë gabimin që, ndërsa mbrojmë lirinë e Ukrainës dhe pavarësinë e saj, ta lëmë pas dore çështjen e Ballkanit deri në anëtarësimin e Ukrainës në BE. Ky do të ishte një gabim i rëndë. Ndërkohë, që punojmë për rrugën e anëtarësimit të Ukrainës dhe Moldavisë, duhet që të përshpejtojmë hapat për Ballkanin Perëndimor, i cili duhet të anëtarësohet në BE para Ukrainës. Do të ishte keq të humbisnim një realitet që ka një rëndësi të jashtëzakonshme për ne, për shumë arsye, përfshirë ato historike”, tha Tajani.
Komente