Ministrja e Arsimit Evis Kushi gjatë një konference të zhvilluar online me gazetarët ka thënë se duke nisur nga data 1 janar i vitit që vjen, paga e mësuesve do të rritet me 15%.

Kushi foli edhe për përfitimin e librave falas, ku sqaroi se vitin e ardhshëm edhe nxënësit e klasave të gjashta dhe të shtata do të përfitojnë nga kjo skemë.

Evis Kushi: Në vitin 2021 paga e mësuesve do të rritet me 15%. 75.8 miliardë lekë është buxheti për arsimin në vitin 2021. 250 mijë nxënës do të përfitojnë nga skema për libra falas. Këtë vit do të ketë libra falas edhe për klasat e gjashta dhe të shtata. Qëllimi ynë është që të kemi më shumë mësues ndihmës. Sot është e pamundur që një mësues të punësohet nga partitë, kjo nuk ndodh, punësimi vjen vetëm nga portali.

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi pas mjekëve dhe infermierëve ka cilësuar si heronj mësuesit.

 Ministrja tha se tashmë nuk ka raste abuzime kur deputetët apo zyrtarët ndërhynim për të punësuar mësues, pasi ata kalojnë përmes një procesi transparent siç është portali “mësues për Shqipërinë”.

“Dua ta nis këtë prezantim me disa nga raportet ndërkombëtare për vlerësimin e arsimit. Do ndalem tek një raport i Bankës Botërore, qe e vlerëson Shqipërinë si një ndër 10 vendet me përmirësim në arsim. Shqipëria në vitet e fundit ka pasur rritje në arsim. Jemi të ndërgjegjshëm që kemi ende punë për të bërë. Por jemi në rrugën e duhur. Është me rëndësi, pasi këto raporte janë jo vetëm inkurajuese, por dhe sfiduese. Në buxhetin e 2021, për sektorin e arsimit ne i përmbahemi objektivave që kemi vendosur. Rritja e pagave është një nga lajmet më të mira që sjell ky buxhet. Mësuesit, pas mjekëve dhe infermierëve, janë heronjtë e ditës. Ata po punojnë me përkushtim. Nuk ka më raste kur ndërhynin deputetët apo jepej lekë për vendin e punës”, tha ministrja Kushi.

VERITAS.COM.AL