Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar në veri të Kosovës dhe për konfliktet si dhe për arrestimin e 3 policëve.

Në një mesazh në ‘Facebook’ Rama theksoi se Kurti duhet të dalë nga guaska e vetëizolimit, ndërsa i bën thirrje që mos të humbasë veriun.

Gjithashtu ai paralajmëron ftohje të marrëdhënieve me Serbinë nëse policët nuk lirohen këtë javë.

Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!

Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!

E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!