Familjarët e viktimave të tragjedisë, ku 28 shqiptarë u mbytën në ujërat e detit Jon më 9 janar 2014, janë paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Ata kanë kërkuar që prokuroria e Vlorës mos ta hetojë më këtë çështje, po kjo të kalojë në SPAK.
Familjarët kërkojnë që ngjarja të zbardhet plotësisht.
Për ta, fëmijët e tyre i vrau shteti, pasi persona të përfshirë në operacion mbajnë tashmë poste zyrtare.
“Ata njerëz kanë qenë një grup i strukturuar kriminal, që përbëhet nga policia e Vlorës”, tha në një deklaratë për mediat, Nikollë Mehillaj, kryetar i shoqatës së viktimave.
Sipas tij, efektivët shtetërorë janë lajmëruar, por asnjëri prej tyre nuk bëri asgjë për ta shmangur tragjedinë.
“Kërkojmë hapjen e çështjes, Prokuroria e Vlorës është e korruptuar, se nuk janë hetuar ata që kanë bërë krimin”, tha Mehillaj.
Ai ka ravijëzuar se vetëm pas 18 orësh ka nisur kontrollet anija italiane dhe se arysyeja e mbylljes së çështjes është “mosekspozimi i grupit kriminal”.
Viktimat në atë kohë, u dhanë 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën se do të kalonin në Itali, për një jetë më të mirë.
Pavarësish se ishte paralajmëruar që moti nuk do të ishte i favorshëm, pasi deti ishte me dallgë, trafikantët e panë si një mundësi për t’i shpëtuar mbikëqyrjes.
Si përfundim, 18 burra dhe 3 gra u gjetën të vdekur më 10 janar nga një helikopter i NATO-s.
Ndërkohë shtatë të tjerë rezultojnë ende të zhdukur. 11 prej tyre arritën të shpëtonin.
Kjo tragjedi ende nuk është zbardhur, pasi për këtë është dënuar vetëm njëri nga skafistët Elton Tafili.
Ai u dënua nga Gjykata e Vlorës më 25 vite burg.