Kryeministri Edi Rama në takimin e tij të zhvilluar në Gjirokastër u ndal tek reforma në drejtësi, duke thënë se ai dhe Partia Socialiste bënë të mundur realizimin e drejtësisë.

Gjithashtu ai u shpreh kritik edhe ndaj kreut të PD Sali Berisha duke thënë se synon që të marrë Shqipërinë zvarrë dhe ta kthejë në gjendjen e mjerueshme që ishte.

Po ashtu u shpreh se Partia e Lirisë, nuk ka asnjë ndryshim, vetëm se siç tha Rama në krye të PD është Berisha, ndërsa tek PL janë djem të rinj por me mendësi të vjetër.

“Për herë të parë Shqipëria po përjeton një përpjekje historike për të vendosur barazinë para ligjit. S’kemi pasur kurrë barazi para ligjit se i pari i qeverisë ka qenë mbi ligjin. Për herë të parë po ndodh ajo për të cilën unë ju kam kërkuar mbështetjen dhe thoja më jepni timon se do të bëjmë drejtësi që sheh vetëm drejtë. Për ta bërë të paprekshme dhe asnjë buf kënetë dhe asnjë kukumjaçkë që del nga këto pellgje të vogla që thotë jemi parti të reja duhet futur në BE. Ajo derë nuk rri e hapur përditë. Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet dhe sot jemi te pragu. Tani o do bëhemi bashkë, do mbështesim Shqipërinë dhe do hymë në BE ose do ta lëmë të na ikë sepse këtu në Shqipërinë do hedhin vota sa në kënetë, sa në dyqane të qilimave fluturues. I keni dëgjuar gjoja ato partitë e reja, që thonë “po na ra ne rasti dhe po na dhanë vota shqiptarët që t’mos lëmë të bëhet qeveri do shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Unë mendoj që ata që merren në bujqësi e dinë çfarë është ajo fara e keqe. Dhe është ajo farë e keqe që polli të ndjerën LSI dhe ju e dini se ç’kemi hequr nga ajo farë e keqe. Fara e keqe solli të ndjerën LSI. Sot ajo farë e keqe nuk duhet lënë të mbijë dhe të marrë fushat e politikës shqiptare. Ka po atë gjuhë të kënetës, po atë sharje të kënetës. I vetmi ndryshim është se këneta ka një buf të lodhur që i fiken llambat, ndërsa ata kanë disa djem të rinj në moshë, por në tru janë të tërë bufa të vegjël. Ndaj ne duhet të fokusohemi te interesi kombëtar”, tha më tej Rama .

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *