Mbrëmë natën u shemb edhe fasada e stadiumit “Qemal Stafa” në Tiranë. Ra edhe basorelievi tipik i kompleksit rreth Universitetit të Tiranës, ndërtuar që në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar. Si fasada, edhe basorelievi me figurën e futbollistit, u shembën nga ndërtuesit që në vend të stadiumit 80 vjeçar po ndërtojnë stadiumin e ri.
Stadiumi i ri i futbollit në Tiranë po ndërtohet në të njëjtin vend ku ishte i pari, nën kujdesin e qeverisë. Projekti për ndërtimin e stadiumit të ri u kontestua nga disa organizma të shoqërisë civile, parti politike, media dhe arkitektë. Pika më e diskutueshme ishte fasada e stadiumit 80 vjeçar, e cila ishte shpallur “monument kulture”. Qytetarët, përmes rrjeteve sociale kërkuan që monumenti i kulturës të mos dëmtohej, sepse dëmtimi i saj do të sillte shfytyrimin e kompleksit të Tiranës së viteve 40 të shekullit të kaluar, ku bëjnë pjesë selia e Universitetit Politeknik, Universiteti i Arteve, selia e Kryeministrisë, Biblioteka e Universitetit, sheshi Nënë Tereza, dhe vetë Stadiumi Kombëtar.
Qeveria “vuri dorën në zjarr” dhe u betua se për monumentin e kulturës kujdeset më shumë se askush tjetër. Vetë kryeministri Edi Rama përdori fjalorin më të egër kundër atyre që “paragjykuan” qeverinë sikur po prishte monumentin e kulturës. Njëkohësisht premtoi se ky basoreliev dhe kjo fasadë do të ruheshin me besnikëri brenda projektit të stadiumit të ri.
Nuk kanë kaluar vese pak muaj.
Ja çfarë shkruante kryeministri me 27 prill të këtij viti:
“Për qorrat që s’duan të hapin sytë, po hapin vetëm gojën për të baltosur çdo ide, projekt, pune dhe tani i janë turrur Shtëpisë së Re të Kombëtares, s’ka asnjë ilaç! Por për të gjithë ata që duan të shohin se si do të ruhet fasada e ‘Qemal Stafës’ (e vetmja gjë me vlere në atë gërmadhe), ja projekt-ideja e integrimit të saj në zemrën e Arenës Kombëtare, ku do të jetë edhe Muzeu i Kuqezinjve”, – shkroi Rama në Facebook në atë kohë.
Veç pak më shumë se 3 muaj nga ajo ditë, fasada u shemb mbrëmë. Ra edhe basorelievi, ra edhe monumenti i kulturës. Ruajtja e monumenteve të kulturës është parashikuar me ligj, por qeveria nuk pyeti për asgjë.
Shembja dhe deformimi i kompleksit historik u bë fakt brenda natës. Tani nuk mbeti gjë tjetër veç të mendohet se qeveria mund të bëjë gjithçka, pavarësisht nga ligji dhe vullneti i qytetarëve.