Është tipik zeshkan, dhe pikërisht pamja e tij e bëri për vete regjisorin italian Steven Renso që t’ia besoj rolin e Skënderbeut aktorit shqiptar Rimi Beqiri. I njohur në teatrot dhe kinematografinë italiane, Rimi Beqiri ka treguar për përvojën e tij për filmin “Kastriota”, që tashmë ka lansuar edhe trailerin. “Ndihem krenar që regjisori ma besoi mua rolin e heroit tonë kombëtar, i njohur dhe i respektuar në të gjithë Evropën dhe jo vetëm në Evropë”, ka thënë Beqiri për KultPlus. Ky film pason filmin tjetër për Skënderbeun që ishte realizuar nga një produksion rus qysh në vitin 1953, por Beqiri ka spikatë se nëse do të duhej të realizohej një film i madh mbi këtë figurë të rëndësishme shqiptare, atëherë do të duhej ti besohej ndonjë produksioni të madh hollivudian.

 Nga: Ardianë Pajaziti/ KultPlus

KultPlus:“Kastriota” është filmi i fundit që është realizuar mbi figurën e Skënderbeut, dhe pikërisht roli i Skënderbeut bartet nga ju, si ndiheni që luani një rol kaq të madh?

Rimi Beqiri:

Ndiej një përgjegjësi të madhe, por dhe një emocion të veçantë, gjithashtu ndihem dhe krenar që regjisori ma besoi mua rolin e heroit tonë kombëtar i njohur dhe i respektuar në të gjithë Evropën dhe jo vetëm në Evropë.

Rolet që një aktor mund të bëj janë të shumta por që unë të bëja rolin e “Skënderbeut” nuk e mendoja ndonjëherë, edhe pse në skenë kam sjellë një Skënderbe pak më “modern” se çka qenë tek filmi i fundit “capolavoro” me produksion rus të vitit 1953, ku shumica e kujtimeve tona menjëherë shkon tek ai film.

KultPlus: Filmi është i metrazhit të shkurtë dhe është produksion italian, na tregoni më shumë si erdhi deri te realizimi i filmit?

Rimi Beqiri:

Regjisori Steven Renso, i fejuar me një vajzë nga anët e mia, dmth Tirana, duke vajtur shpesh herë dhe duke vizituar shpesh herë Tiranën, eshte mahnitur me figuren e heroit tonë, aty pastaj është informuar disi më tepër nga të gjitha anët derisa arriti më në fund vendimit që të xhiroj një film me metrazh të shkurtër, dhe pse mos duke rrezikuar shumë, por është edhe mahnitur vetëm për të treguar një pjesë të jetës së heroit tonë me një pikëpamje artistike të tij personale.

KultPlus: Po roli, si erdhi deri te besimi i regjisorit që ju të bartni këtë rol?

Rimi Beqiri:

Steven e kam njohur dhe më parë, sepse kam xhiruar diçka tjeter me të, por ai mbasi vendosi të xhirojë këtë mbi Skënderbeun, menjëherë më kontaktoi entuziast duke më treguar për këtë projekt duke më thënë që jam zeshkan, me mjekër zeshkane dhe i ngjaj taman Skënderbeut, por dhe modern, siç e kishte menduar ai…pastaj shtoi dhe disa elemente të tjera sikurse që jam i zoti si aktor… por i lëmë mënjanë këto ahahaha, kështu që rolin do ta bëja unë sepse nuk bënte ndryshe, sespe, po të mose pranoja rolin, sipas tij, ai nuk do ta xhironte filmin.

KultPlus: Figura e Skënderbeut është mjaftë komplekse, dhe një film mbi të është një përgjegjësi mjaftë e madhe, për cfarë flitet në këtë film më konkretisht?

Rimi Beqiri:

Në këtë film nuk flitet e gjithë jeta e tij, sepse duke qenë një film i shkurtër, regjisorit i interesonte vetëm një fragment i rëndësishëm i jetës së tij, dmth momenti kur ai është si puna e Hamletit me dyshime. Momenti kur Skënderbeu zbulon prejardhjen e tij dhe pastaj nis dhe hyn në një tunel me një rrugë të vështirë: duhet të zgjedhë që të vazhdojë të rrijë si gjeneral i perandorisë të Sulltanit Murat, apo të vendos të kthehet në Shqipëri dhe të lirojë popullin e tij, e të ndjekë gjurmët e babait të tij. Në këtë mes është patjetër dhe figura e Hamzait që prezantohet si një figurë e ëndrrës së tij. Filmi është në mes ëndrrave të këqija dhe realitetit të paqartë që i paraqitet Heroit tonë.

KultPlus: Tashmë sapo është plasuar traileri i filmit, po për rrugëtimin e këtij projekti jeni në dijeni se si do të shkojë, kur dhe ku do të shfaqet?

Rimi Beqiri:

Mendoj se njëherë filmi si shumë filma të tjerë me metrazh të shkurtër do marri rrugën nëpër festivale të ndryshme, si në vendin tonë ashtu dhe jashtë, dhe shpresojmë që të arrijë sa më lartë. Pastaj mendoj se do shfaqet edhe në disa evente të ndryshme kulturore që do zhvillohen këtu në Romë ose në disa qytete tjera të Italisë, sepse viti 2018 është dhe viti i kujtimit të 550 vjetorit të vdekjes së heroit tonë.

KultPlus: Ku është xhiruar filmi?

Rimi Beqiri:

E kemi xhiruar në një nga malet e “Dossenas” 1200 metra lartësi me -5 gradë ftohtë, që ndodhet në një provincë të Bergamos.

KultPlus: Në bazë të trailerit, shihen edhe kostume të vecanta në këtë projekt, sa të kanë dhënë emocione këto pamje?

Rimi Beqiri:

Ah kostumet janë shumë të bukura dhe pse nuk janë njëlloj fare si të asaj kohe por shumë emocionuese, sepse këto lloj kostumesh të shtojnë andrenalinën e duhur dhe të bëjnë të mendosh si në atë kohë, të ndihmojnë të hysh në rol sa më shpejt dhe të mbash përgjegjësinë e atij personazhi deri në fund…në këtë rast të Skënderbeut modern.

KultPlus: Do të duhej të bënin kineastët më shumë për këtë figurë kombëtare?

Rimi Beqiri:

Unë personalisht mendoj që po ta marri në dorë një produksion Hollyëoodian, një film të tillë, figura e Skënderbeut do të zmadhohej sa më shumë në nivelet botërore, dhe sa më shumë te njerëzit e thjeshtë dhe jo vetëm te studiuesit e historisë. Do dilte diçka madhështore.

KultPlus: Tashmë keni provuar ndjesinë të jeni në karakterin e Skënderbeut, sa do të dëshiroje të luaje në një film më të madh mbi këtë figurë të rëndësishme kombëtare?

Rimi Beqiri:

Do ta dëshiroja shumë, por këta janë ëndrra dhe ëndrrat siç mire i dimë, jo të gjitha nganjëherë realizohen por në të shumtën e rasteve mbeten vetëm ëndrra, me këtë nuk dua të them që jam pesimist, por realiteti sot është ky, që të besh filma të bukur sidomos epik kolosal duhen shumë gjëra, por në radhë të parë duhen shumë para./Marrë nga: KultPlus.com

Veritas.com.al/