Duke filluar nga 17 janari i vitit 2022 në duart e publikut do të jenë edhe dy kartëmonedha të reja, 500 dhe 2 000 lekë.
Kartëmonedhat vijnë me një dizajn të ri dhe janë prodhuar sipas teknologjisë më të fundit, me një përmirësim të cilësisë dhe me elementë shtesë sigurie duke e bërë më të vështirë falsifikimin e tyre.
Ky fenomen sipas bankës qendrore mbetet në nivele të ulëta, megjithatë përgjatë vitit 2020 u konstatua një rritje e kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ku ato me vlerë 2000 dhe 1000 lekë rezultonin edhe prerjet më të falsifikuara, ndjekur nga kartëmonedhat 5000 dhe 500 lekë.
Teknikat e përdorura nga falsifikatorët mbeten përgjithësisht primitive si ato përmes printimit me ngjyra apo metodave të tjera jo shumë të sofistikuara me përdorimin e imitimit të elementëve të sigurisë së kartëmonedhave.
Që prej shtatorit 2019 Banka Qendrore ka hedhur në qarkullim edhe katër kartëmonedha të reja të kësaj serie, atë 200, 5000, 1000 dhe 10 000 lekë. Kjo e fundit përkon edhe me prerjen më të madhe të parasë të emetuar nga Banka e Shqipërisë.
Pavarësisht emetimit të kartëmonedhave të reja, ato ekzistuese të të gjitha prerjeve do të vazhdojnë të qarkullojnë paralelisht me kartëmonedhat e reja dhe të shërbejnë si mjet pagese.