Dje u raportua si një grabitje në qendër të Tiranës pranë Bankës së Shqipërisë, ku një 29-vjeçare ishte qëlluar me thikë nga një person i paidentifikuar dhe i kishin marrë një çantë me 1 milionë Lekë(të reja).
Nga hetimet rezultoi se bëhej fjalë për një grabitje të inskenuar, në pamundësi për të shlyer borxhet. Financierja 29-vjeçare Jonida Fero telefonoi dje policinë rreth orës 15:00 duke i thënë se e kishte qëlluar me me thikë një person i panjohur dhe i kishte marrë çantën me lekë. Mirëpo, pasi u mor në pyetje në polici dhe e gjendur përballë pamjeve filmike që nuk përputhej me dëshminë e saj, ajo u pendua dhe vendosi të tregonte të vërtetën. 29-vjeçarja tregoi para efektivëve se i dashuri i saj kishte një shumë parash në kazino dhe i kishin mbajtur peng makinën. Ai duhej që të paguante 1 milionë lekë(të reja) që të merrte automjetin, mirëpo sa më shumë që të vonohej rritej borxhi. Në këto kushte, financierja i kërkoi ndihmë babait të saj që jeton në Pogradec, duke i kërkuar borxh shumën e parave duke i thënë se kishte aplikuar për kredi. Edhe babai i saj e kishte marrë borxh diku tjetër shumën, me premtimin që do ta kthente për 1 javë.

Dje i ati i financieres kishte mbërritur në Tiranë për t’u takuar me vajzën dhe të merrte borxhin që i kishte dhënë. 29-vjeçarja e ndjerë në faj në pamundësi për t’i kthyer borxhin, vendosi të sajonte grabitjen. Policia nisi ndaj saj procedim në gjendje të lirë për kallëzim të rremë.