Fondi Monetar Ndërkombëtar i kërkon Qeverisë të ndalojë përkohësisht dhënien e koncesioneve nga programi 1 miliardë euro. Kërkesa e fortë vjen nga shefi i Zyrës së FMN në Tiranë, Jens Reinke në një intervistë dhënë për Top Channel.
“Ne kemi deklaruar që kuadri institucional për menaxhimin e koncesioneve mbetet i papërshtatshëm. Sigurisht ndërtimi i kapaciteteve dhe institucioneve të duhura kërkon një kohë të caktuar, ndaj kemi këshilluar Qeverinë që të marr një pushim të shkurtër, të pezullojë dhënien e koncesioneve të reja”, thotë ai.
Sipas shefit të FMN në Tiranë thuajse të gjitha koncesionet jepen pa një analizë të qartë mes kostove që paguajnë qytetarët dhe përfitimeve që ato sjellin.
“Duhet të kemi një listë konsistente të projekteve prioritare që bëhen me koncesion, por jo vetëm. Sot nuk e kemi. Çdo koncesion, përfshirë ato të mëdhatë e dhëna së fundmi, del nga një proces jo shumë formal. Së dyti, duhet të kemi një njësi të fortë në Ministrinë e Financave që bën analizën e kosto-përfitimeve për çdo projekt dhe të ketë fuqinë të refuzojë projektet pa leverdi. Duhet theksuar se Qeveria ka bere njëfarë progresi. Ka një njësi më të mirë për PPP-të në Ministrine e Financave, si dhe një njësi për riskun fiskal, por kordinimi mes tyre nuk është i mirë dhe ato nuk luajnë një rol të mjaftueshëm në planifikimin dhe prioritarizimin e projekteve të investimeve”, vijon Reinke.
Shefi i Zyrës së Fondit thotë se Qeveria duhet t’i japë fund miratimit të koncesioneve që vijnë si propozime nga privatët.
“Programi i investimeve të qeverisë duhet të jetë konsistent dhe i mirëmenduar. Ai duhet të mbajë parasysh përfitimet totale në rrjetin e infrastrukturës, që vijnë nga investimet e ndryshme. Kjo nuk mund të ndodhë kur Qeveria thjesht miraton propozimet e pakërkuara që vijnë nga privatët, por vetëm kur ajo identifikon strategjinë e saj dhe tenderon publikisht ato projekte, të cilat janë përzgjedhur se kanë përfitimet më të mëdha”, këshillon kreu i FMN në Shqipëri.
FMN ka arsye se pse shqetësohet për koncesionet. Kryesorja është efekti që ato kanë në rritjen e borxhit.
“PPP-t përmbajnë risqe thelbësore fiskale. Një nga motivimet kryesore të PPP-ve duket se është shtyrja e pagesës. Pra, investimi bëhet tani me financime nga privatët, Qeveria e paguan më vonë. Kjo ekonomikisht është e njëjtë me huamarrjen. Pra i gjithë investimi, ose një pjesë e tij duhet të regjistrohet si borxh publik”, deklaron FMN.
Veritas.com.al/