-11-vjeçari gjendej në kampin e të burgosurve të ISIS-

Alvin Berisha është i lirë. Pas 1 muaji plot ankth e frikë për jetën e tij, 11-vjeçari ka mundur të dalë jashtë kampit “Al Hol” në veri të Sirisë, ku mbahen të burgosur mbi 70 mijë luftëtarë të ISIS dhe të afërm të tyre.

Televizioni Klan ka siguruar fotot e tij në një vend të sigurt jashtë kampit në qytezën Erbril të Sirisë, në një bazë të sigurt nën kujdesin e organizatave ndërkombëtare.

Ndërsa kjo foto tregon momentin kur ai ka dalë nga kampi në një furgon.

Në fotot e tjera ai mban në kokë një kapele të Gjysmëhënës së Kuqe Siriane, e cila ka ndihmuar ne operacionin e shpëtimit, së bashku me kryqin e kuq ndërkombëtar.

Mediat italiane shkruajnë se operacioni është kryer nga autoritetet italiane dhe ato shqiptare, nën kujdesin e qeverive të dy vendeve.

Në Siri gjendet prej të shtunës, së bashku me një grup të forcave speciale shqiptare, edhe Ministri i Brendshëm shqiptar, Sandër Lleshaj, i cili ka bërë edhe një foto me Alvin Berishën pas nxjerrjes së tij nga kampi.

Mediat italiane shkruajnë se forcat speciale italiane “ROS” dhe ato shqiptare kanë shfrytëzuar një korridor humanitar për ta nxjerrë 11-vjeçarin jashtë Al Holit.

Alvin Berisha qëndronte në këtë kamp që prej 14 Marsit 2019, pas shtrimit në një spital në rajonin Hasakah të Sirisë, për shkak të plagosjes në këmbë nga një shpërthim ku humbi nënën.

Ai jetonte me familjen në Itali, por nëna e tij, e cila ishte radikalizuar si një mbështetëse e ISIS, e mori me vete në vitin 2014 në Siri.

Që prej asaj kohe, ai i kishte humbur gjurmët, por u gjet nga emisioni investigativ “Le Iene”, i cili u vu në kërkim të tij me kërkesë të babait të 11-vjeçarit.

Qeveria shqiptare reagoi duke sqaruar se kishin pasur një plan që prej Gushtit për riatdhesimin e Alvinit dhe të shqiptarëve të tjerë në këtë kamp, që janë mbi 70, por ai kishte dështuar pasi në këtë zonë nisi një konflikt i armatosur mes ushtrisë turke dhe forcave kurde.

Veritas.com.al/