TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në Konferencën rajonale “Formësimi i së Ardhmes së GovTech”, e cila u mbajt në Tiranë tha se frontin e revolucionit digjital në rajon, sot pothuajse e mbulon gjuha shqipe.
Ai foli për shërbimet online, si një metodë e re qeverisjeje, e cila ndodhet më pranë qytetarëve. Gjatë fjalës së tij, Rama tha se shërbimet onlinë janë një “bekim” për vende si Shqipëria, për të kapur kohën e humbur.
“Më vjen mirë që frontin e revolucionit digjital në rajonin tonë, pothuajse e mbulon gjuha shqipe. Sa herë që vjen fjala, për të diskutuar mbi këtë temë, unë besoj se është e udhës të ndaj me ju se menjëherë më kujtohet periudha e pandemisë dhe duke menduar për atë periudhë dhe përpiqem të marrë me mend se çfarë do mund të kishte bërë Shqipëria nëse nuk do ishim në nivelin e përparimit digjital ku na gjeti ajo goditje globale. Shqipëria, që në morëm përsipër të udhëheqim, ishte faktikisht te pjesa digjitale në belbëzime dhe hapat e para. Momenti i pandemisë bëri atë që u kthye në një përqafim të plotë të të gjithë bashkësisë shqiptare brenda dhe jashtë vendit me teknologjinë dhe me qeverinë, në kuptimin e qeverisjes së shërbimeve përmes e-albania. Janë 3.2 milionë përdorues, që ndërveprojmë sistematikisht me e-albania, janë një shifër shumë kuptimplotë. Ky është dhe bekimi ynë, i vendeve në zhvillim, si vendet e rajonit tonë, jo vetëm për të kapur progresin dhe për të përparuar dhe me shpejtësi më të madhe dhe për të revolucionarizuar të gjithë sistemin e qeverisë së shërbimeve, u duhen të bëjnë kthesa dhe çmontime të konsiderueshme. Ky është një bekim i madh për të kapur kohën e humbur”, tha Rama.
Komente